Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për një procedim penal të vitit 2020 dhe ka dërguar në gjyq administratorin, kryetaren dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë së Parë Financiare të Zhvillimit (FAF sh.a.), që tani mban emrin ‘Agrokredit’, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”.

Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka ngritur akuzën ndaj shtetasve Ilda Malile, dhe anëtarët Alda Klosi, Llambi Prendi, Anila Cili dhe Mimoza Loli, për veprën penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Sipas organit të akuzës, hetimi lidhet me një sërë shkeljesh të konstatuara edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në procedurat e prokurimeve të kryera nga personat nën hetim. Në fokus të hetimit ka qenë veçanërisht procedura për blerjen e një automjeti. Prokuroria thotë se blerja është kryer pa miratimin e Ministrit të Financave, ndërsa në dosjen e tenderit nuk është administruar argumentimi për kriteret e veçanta të kualifikimit, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Për këto shkelje, sipas Prokurorisë, është ngarkuar me përgjegjësi administratori D.Q., si dhe Këshilli Mbikëqyrës, i përbërë nga kryetarja I.M. dhe anëtarët A.C., A.K., M.L., Ll.P., O.D. dhe A.Gj.

Një tjetër element i evidentuar gjatë hetimit është fakti se automjeti i blerë nga FAF sh.a. kishte qenë më parë në pronësi të kryetares së Këshillit Mbikëqyrës, I.M., e cila kishte mbajtur më herët detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas hetimeve, automjeti u ble me vendim të asamblesë në vlerën 1.6 milionë lekë, përfshirë TVSH-në, me qëllim zëvendësimin e punës së gjashtë mjeteve. Prokuroria vlerëson se një automjet i vetëm nuk mund të përmbushte nevojat e kompanisë, e cila kishte 30 degë në 30 rrethe të Shqipërisë.

Në hetim është evidentuar gjithashtu edhe vendimi për caktimin e një vendi shtesë pune për shoferin e automjetit të ri. Sipas Prokurorisë, në FAF sh.a. kishte tashmë gjashtë shoferë pa mjete, të cilët vijonin të merrnin pagat, ndaj caktimi i një tjetër vendi pune për shofer është konsideruar i tepërt dhe në kundërshtim me ligjin.

Në përfundim, bazuar në provat dhe aktet e administruara gjatë hetimit, Prokuroria e Tiranës vlerëson se ndaj shtetasve I.M., A.K., Ll.P., D.Q., A.C., M.L., O.D. dhe E.Xh. janë konsumuar, përmes veprimeve ose mosveprimeve, elementet e veprës penale “Shpërdorim detyre”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb