Policia Kufitare ka bllokuar në Portin e Durrësit një autobus me cigare kontrabandë, që vinte nga Maqedonia.

Nga kontrolli kufitar, policia ka zbuluar në total 309 steka cigaresh. Ndërkohë, gazetarja e “News 24”, Dorjana Bezat, raporton se cigaret ishin të markave të ndryshme, si Malboro, Woliston, BOS.

Autobusi kishte ardhur nga Maqedonia ditën e djeshme dhe do të kalonte në Itali përmes Portit të Durrësit.

Gjithashtu, policia ka vënë në pranga dhe një 32-vjeçar nga Gostivari, i cili akuzohet për veprat penale “Kontrabanda me mallrat që paguhet akcizë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë “.

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare godet një tentativë të kontrabandës së mallrave që paguhet akcizë.

Sekuestrohen 309 steka me paketa cigare.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave shtesë për parandalimin , evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjatë kontrollit në vijën e dytë të autobusëve dhe kamionëve, në autobusin e linjës Maqedoni-Durrës-Bari, me drejtues shtetasin Q.S., kanë konstatuar të fshehura në brendësi të autobusit steka me paketa cigare të llojeve të ndryshme të pa deklaruara nga ana e drejtuesit të autobusit.

Menjëherë është njoftuar Grupi Hetimor, ku gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar , Policisë Kufitare dhe shërbimeve doganore, rezultoi se brenda autobusit ishin të fshehura 309 steka me paketa cigare të markave të ndryshme (3090 paketa), kontrabandë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:

-Q.S.,32 vjeç, banues në Gostivar, për veprat penale “Kontrabanda me mallrat që paguhet akcizë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë “.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: