Lulzim Basha ka hedhur në treg një tjetër propozim qesharak, atë për të bërë vetingun e politikanëve të lidhur me krimin. Për këtë, ai ka thënë se do t’i propozojë Kuvendit edhe disa amendamente kushtetuese që deputetët t’i nënshtrohen të njëjtës “gjueti shtrigash”, njësoj si prokurorët dhe gjykatësit.
Por, ideja e lëshuar papritmas, madje e mbështetur edhe nga kundërshtarë të fortë të tij, nuk është asgjë tjetër më shumë sesa një budallallëk me brirë.

Po t’i besosh sado pak propagandës që bën prej kohësh PD-ja, kjo nismë është thjesht utopike dhe e pa arritshme. Si mund të pretendojë sot një opozitar, i cili këmbëngul se Edi Rama ka kapur tërësisht edhe institucionet e vetingut, që janë në monitorim të fortë ndërkombëtar, të besojë se kjo mazhorancë do të angazhohet kundër vetes së saj?

Si mund të imagjinojë ai, se amendamentet e reja kushtetuese që kërkojnë një shumicë të cilësuar do arrijnë të bëjnë bashkë me votat e demokratëve edhe ato të socialistëve?

Si mund të ëndërrojë ai, edhe nëse kjo ndodh falë ndonjë presioni hipotetik ndërkombëtar, që edhe pasi ta votojnë, socialistët nuk do ta minojnë këtë proces?

Pra, Lulëzim Basha duhet të ishte i ndërgjegjshëm se kjo as nuk ka gjasë të ndodhë dhe as mund të kryhet kurrë, për sa kohë Edi Rama është në pushtet.

Po atëherë pse e hedh idenë në treg? Thjesht për të gënjyer publikun, apo se është një naiv i pashërueshëm që beson tek paktet me kundërshtarin?

Kësaj dileme mes Bashës mashtrues, apo të papjekur, dikush më dashamirës ndaj tij mund t’i shtonte edhe një të tretë: atë të njeriut që beson tek armët me të cilat politika luhet në Perëndim. Sipas këtij versioni, megjithëse ai është i ndërgjegjshëm se kjo sfidë nuk realizohet, kreu i PD-së nuk këmbëngul kot në të. Ai kërkon ta shndërrojë këtë betejë në një vijë demarkacioni mes së mirës dhe së keqes. Ai e di që socialistët nuk e përballojnë dot këtë sfidë, prandaj e hedh atë në treg për të fituar besimin e publikut, për kredibilitet përpara njerëzve, në fund të fundit, për të treguar se kush është pro krimit dhe kush e lufton atë.

Po në pikën që kanë arritur gjërat në Shqipëri, pyetja që shtrohet është: edhe sikur të jetë kështu, a është efikase kjo rrugë? A mjafton fitorja e betejave të tilla për të ngadhënjyer në luftën finale?
Natyrisht që jo. Sepse Basha e ka provuar edhe vetë që kjo gjë nuk funksionon. Në çdo vend normal të globit, një pushtet që do ishte mundur edhe në betejën e dekriminalizimit (me mbi 20 të zgjedhur të nxjerrë nga politika), edhe në betejën e kanabizimit (ku kreu i rendit rezultoi i lidhur me trafikantët), do t’i kishte mbledhur valixhet me kohë.

Por në një arenë si Shqipëria, ku më tepër se votuesit luajnë rol paratë e oligarkëve, të fortit e dalë nga burgu dhe televizionet servise të qeverisë, të fitosh sfida të tilla politike është krejt e padobishme.

Pra në këtë kuptim, ideja e Bashës për vetingun e politikës është totalisht shterpë: e para, se është e parealizueshme dhe mbi të gjitha, sepse tashmë është ezauruar koha për të luftuar me mjete normale politike.

Kjo qeveri nuk mbahet më në këmbë, as se është e besueshme, as se ka simpatinë e njerëzve dhe as se ka mbështetjen e tyre. Ajo qëndron në zyra sepse ka kapur pushtetin financiar, mediatik dhe kriminal.
Prandaj me të nuk konkurrohet, as me gjetje ligjore, as me lëvizje shahisti dhe as ngrënie gurësh në damë. Me të janë të pafrytshme lojërat mbi tavolinë. Për të pasur shpresë të fitosh ndaj saj, duhet përmbysur tryeza.

Sa më shpejt Lulzim Basha ta kuptojë këtë, aq më parë do t’u japë fund propozimeve fëmijërore, si ato për vetingun e politikanëve. Sa më vonë që kjo të ndodhë, aq më shumë ai do vazhdojë të jetë fasada false e një regjimi.
Burimi: Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb