TIRANE-Rezervat e forta për buxhetin e vitit 2016, të shprehura nga foltorja e Kuvendit nga deputeti Ben Blushi, kanë marrë për herë të parë përgjigjen e një anëtari të kabinetit qeverisës. Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, e ka konsideruar romantik kolegun e tij Ben Blushi, në vlerësimet ekonomike që u bëri parashikimeve të qeverisë për vitin 2016.

Për disa minuta, dy deputetët socialistë kanë relikuiar mes tyre për premtimet elektorale që bënë në vitin 2013 dhe sjelljen që maxhoranca ka pasur me shqiptarët në këto 2 vite.

DEBATI
Arben Ahmetaj: Kur bën debat me një nga tanët, ta quash nihilist, duket sikur e kam personale. Ta quash reflektim të një ekonomie antike, nuk është personale. Është një ekonomi antike e ardhur nga Greqia jo e lashtë, e cila u rikthye në rrënojë prej nga kishte nisur. Pyetjet e tua Ben janë legjitime. Një i majtë i qendrës, ekstrem, romantik apo një i majtë me reflektim të ekonomisë antike i bën ato reflektime. Mirëpo, midis romantizmit ekonomik dhe ekonomisë reale, ka statistika. Ndjesë, por nuk dëgjova asnjë statistikë. Ju thatë se varfëria luftohet me ide dhe modesti. Por cila është modestia e një Kryeministri dhe e një trupe qeveritare? Të vishet me këmishë të grisur apo të bëjë reforma, të cilat janë tejet të vështira, por që e çojnë vendin nga varfëria në prosperitet për një kohë të caktuar? Ben, unë ta kam thënë dhe po ta them, sepse të konsideroj shumë mik, si politik, ashtu edhe personal. Kemi qëndrime të ndryshme për luftën ndaj varfërisë, por unë besoj se shprehja më e mirë e modestisë së një qeverie nuk është këmisha e shtirur e grisur, por reformat.
Bashkim Fino: Ky është debat, ka lezet. Më pëlqeu ministri si foli, për këtë i jap dorën. Kështu ka lezet partia.
Gent Strazimiri: Po debatet bëjini në parti, mos hajdeni këtu.
Bashkim Fino: Po kështu është partia. Jo si ajo partia juaj, që nëse nuk flet Saliu, nuk çoheni të reagoni.
Ben Blushi: Para se të flas me miqtë e mi, kam dy fjalë me ju.
Edi Paloka: Po s’ke punë fare me ne ti. Shiko punën tënde.
Ben Blushi: Kur flas, e shikoj që ju shkëlqejnë sytë. Para se të merrem me miqtë e mi, kam një pyetje për ju: Si nuk pati nga ju një burrë që t’i dilte kundër Berishës për 21 janarin? Se ne këtu po
kundërshtohemi për taksat, por jo për vrasje. Po të kishin vrarë këta, nuk do isha këtu unë. Më vjen keq që ju vura në këtë pozitë z. Ahmetaj. Gjatë kohës që ti flisje, thosha me vete, po sikur ai të ishte ministër i PD-­së, ça do t’i kisha bërë unë atij. Krahu im është i kufizuar kur zihem me njerëz që unë kam bërë fushatën, por dy­ri gjërat do t’i them. Unë kam bërë fushatë për taksë progresive, jo për
këtë. Ne kemi thënë taksë më të ulët për energjinë elektrike. S’e kemi. Ne kemi thënë taksë më të ulët për ushqimet. S’e kemi. Unë nuk dua të bëj këtë rend premtimesh të pambajtura. Ti e quajte
mënyrën se si unë flas në Parlament romantike. Por, pa dyshim, që gjithë ky pesimizëm ka nevojë për romanticitet. Nëse unë i kam dhënë Shqipërisë pak romancë, unë ia kam arritur misionit tim. Misioni im
nuk është të administroj, është t’u jap njerëzve shpresë, aq sa mundem. Kur fola përmenda Naim Frashërin dhe Naimi këtë bënte. Ulej diku edhe shkruante për delet. Dhe delet e veta kur e shihnin
thoshin shiko sa romantik që është. Ai kishte të drejtë. Ai shkruante për delet, por fliste për njerëzit.
Arben Ahmetaj: Ben, nuk ishte debat akademik se iu referova shifrave reale. Unë dhe ti s’kemi nevojë të bëjmë debat akademik, se jemi njerëz realë. Ato që the ti, nuk ngjallin optimizëm.

(d.b/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: