Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, ka bërë një deklaratë mbështetëse për ish-presidentin e SHBA-ve, Donald Trump. Ai deklaroi se asnjë amerikan, dhe jo vetëm, nuk duhet të frikësohet nga rikthimi i Trump. “Unë nuk jam aq pesimist sa disa njerëz për këtë. Nuk mendoj se asnjë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të lejojë (Vladimir) Putinin të fitojë në Ukrainë. Thjesht nuk e kuptoj se si është e mundur”, tha Johnson.

Ai theksoi se Trump ishte presidenti i parë amerikan që i dha Ukrainës armë serioze, “Javelin MANPADS”, të cilat u dëshmuan të ishin shumë të rëndësishme në betejën për Kievin. Johnson kujtoi gjithashtu se Trump kishte kryer dëbimin më të madh të diplomatëve rusë.

“60 diplomatë rusë që ai dëboi, ishin shumë më tepër nga sa prisnim. Pra, ajo që po them është: politika e brendshme amerikane është e ndërlikuar. Në prag të zgjedhjeve, do të ketë shumë njerëz që thonë të gjitha llojet e gjërave. Por kur bëhet fjalë për këtë rast, në thelb interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në mbështetjen e Ukrainës, në mbështetjen e demokracisë, në parandalimin e agresionit. Kjo për të gjitha llojet e arsyeve. Por unë mendoj se interesat e Donald Trump janë që të mos duket se mund të mposhtet nga Putini”, pohoi ai. Ish-kryeministri britanik bëri një vizitë tjetër në Kiev më 24 shkurt, duke shkruar se “në këtë përvjetor të dytë të zymtë të pushtimit të Putinit, jam i nderuar që jam këtu në Ukrainë”. Kujtojmë se Johnson ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar në fillimin e pushtimit të plotë nga Rusia më 24 shkurt 2022.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: