Gjatë fjalimit mbi gjendjen e vendit Presidenti Joe Biden theksoi arritjet ekonomike të administratës së tij gjatë dy viteve të fundit. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Keith Kocinski ndërsa statistikat për vendet e reja të punës tregojnë përmirësim, ekonomistët thonë se Shtetet e Bashkuara ndeshen ende me sfida ekonomike për të ardhmen.

Presidenti Joe Biden foli me optimizëm për ekonominë gjatë fjalimit për gjendjen e vendit.

“Inflacioni po bie. Çmimet e gazit janë ulur me 1 dollar e gjysmë nga piku i vitit të kaluar”, tha presidenti amerikan gjatë fjalimit për gjendjen e vendit në Kongres.

Por ekspertët thonë se sfidat dhe shqetësimet ekonomike vazhdojnë, ndërsa ai hyn në vitin e tij të tretë në detyrë.

“Disa do të thonë se aktualisht jemi në një recesion meqë prodhimi ka rënë”, thotë Dan Geltrude, profesor i Kontabilitetit dhe Financave në Universitetin Shtetëror Montclair në New Jersey.

Papunësia në SHBA është 3.4 për qind, më e ulëta që nga viti 1969. Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me rreth 3 për qind gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022. Inflacioni gjithashtu shënoi rënie në SHBA gjatë të njëjtës periudhë.

Por, llogaritur në tërësi, viti 2022 regjistroi inflacionin më të lartë në mbi 40 vjet dhe linjat e furnizimit ende po përballen me disa çështje problematike.

Sipas një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia amerikane pritet të ngadalësohet, por mund ta shmangë recesionin.

Ekonomistë të tjerë thonë se jemi në një recesion të lehtë dhe jetëshkurtër.

“Nuk është diçka për të cilën duhet të shqetësohemi shumë, por është diçka që mund të zgjasë disa muaj, ndoshta gjashtë muaj”, thotë Nicholas S. Economides, profesor i ekonomisë në Universitetin e Nju Jorkut.

Një çështje tjetër janë efektet ekonomike afatgjata të luftës në Ukrainë.

Ndikimi në SHBA është pak më i vogël se sa në Evropë, e cila ka më shumë vështirësi në përballimin e efekteve të luftës në Ukrainë.

“Ekonomia e botës është në një gjendje më të keqe se sa ekonomia amerikane”, shton zoti Economides.

Kjo do të thotë se ka mundësi për një recesion më të gjatë dhe më të thellë në Evropë dhe Azi.

Ndërsa udhëheqësit botërorë përgatiten për trazira ekonomike, administrata Biden po bën përpjekje për rritjen e prodhimeve amerikane, me shpresën për të sjellë kompani të huaja në SHBA. Ekspertët thonë se kjo i shqetëson disa udhëheqës evropianë.

“Ata janë shumë të shqetësuar, duke e bërë këtë një çështje kryesore diskutimi”, vlerëson më tej profesor Nicholas S. Economides.

Ndërsa SHBA ofron stimuj të rinj për prodhimin vendas, ajo gjithashtu përballet me një mori sfidash.

“Është shumë e vështirë të rikthehet prodhimi në SHBA për arsye të çështjeve të ambientit, rregullave dhe çështjeve tatimore”, vlerëson profesor Dan Geltrude nga Universiteti Shtetëror Montclair.

Ligjvënësit amerikanë janë gjithashtu duke negociuar rritjen e tavanit të borxhit. Mënyra se si do përfundojnë këto negociata do të ketë ndikim të caktuar në ekonominë amerikane në vitin e ardhshëm./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: