Një ndërtesë tregtare katërkatëshe është shembur pjesërisht në qytetin e Sao Paulos në Brazil, duke shkaktuar plagosjen e katër personave. Ngjarja ndodhi të premten e kaluar në lagjen Brás, një zonë e njohur për aktivitetin e saj tregtar.
Sipas një përditësimi të autoriteteve, në momentin e shembjes në ndërtesë ndodheshin 35 persona, të cilët arritën të shpëtoheshin të gjithë. Katër të plagosurit u transportuan në spital dhe, sipas shërbimeve të emergjencës, ndodhen në gjendje të qëndrueshme.
Fillimisht, rreth 20 persona mbetën të bllokuar në një dhomë të ndërtesës që nuk ishte shembur, ndërsa ekipet e shpëtimit ndërhynë për t’i nxjerrë.
Pamjet e transmetuara nga mediat braziliane tregojnë se një pjesë e madhe e strukturës së ndërtesës është shembur, ndërsa fasada ka mbetur pjesërisht në këmbë. Fillimisht, mediat raportuan për dhjetëra të plagosur, por autoritetet konfirmuan më pas se numri i tyre ishte katër.
