Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ftuar në studion e News24 ka folur në lidhje me lëvizjet në organizimin e partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ai tha se interesi i partive politike në momente të caktuara është që figurat e spikatura të japin kontributin e tyre, aty ku ka më shumë nevojë.

Salianji theksoi se opozita është sot gati për betejën elektorale dhe për mundur kryeministrin Edi Rama.

“Unë në zgjedhjet e fundit kam qenë drejtues politik në Kavajë dhe kemi arritur t’i kthejmë demokratëve atë bastion që nuk e kishim.

Sa i përket lëvizjeve të tjera, janë vendimmarrje që i takoj drejtuesve politikë, kryetarit, kryesisë dhe këshillit kombëtar. Ajo që ju them është që PD brenda muajit qershor e mbyll organizimin në zgjedhjeve e degëve dhe plotësimin e strukturave dhe është e gatshme për betejë elektorale në çdo moment sa i takon aspekteve organizative. Ashtu siç është e gatshme dhe do të vijë me prezantim të plotë të programit. Ne që sot jemi gati për ta mundur Ramën.

Interesi i partive politikeve është që figura të caktuara të japin kontributin e tyre aty ku ka më shumë nevojë. Përtej këtyre hapave, PD duhet të bëjë maksimumin të hapet më shumë drejt shoqërisë dhe padiskutim për t’i shqyer dyert drejt diasporës. Kemi kohë për ta bërë këtë”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb