NGA FATMIRA NIKOLLI*

Ish-shtëpia klinikë e doktor Jovan Bashos në vitet 1930, mandej godinë në përdorim nga Gestapo, “Shtëpia me gjethe” e Sigurimit të Shtetit, sot, i ngjan një ‘gërmadhe’, ndërsa një projekt i Ministrisë së Kulturës pritet ta kthejë në muze. Ajo tashmë ka hedhur hapat e parë për t’u kthyer në një muze të spiunazhit.
Mbasi kalon portën e zezë (dhe muret e stolisura me fraza e vizatime kushtuar Shtëpisë), nga jashtë godinës, sheh punëtorë me kominoshe, llaç, çimento, pllaka, dërrasa, trungje e trarë. Ruhen ende, disa prej gjetheve që e rrethonin, pemët e larta, palmat, ndërsa gjethet e urthit që u ngjiteshin mureve, ballkoneve e deri në çati, tashmë janë të thata. Dritaret e katit të parë, katërkëndore, ruajnë ende kangjellat.
Në anë të derës, një shënim në të verdhë lajmëron: NDALOHET HYRJA NË KANTIER. Dhimitër Cakaj, nga Ministria e Kulturës, na shoqëron brenda saj, ku na presin mure të zhveshura. “Godina po i nënshtrohet një restaurimi”, – sqaron ai, ndërsa na udhëheq nga dhoma në dhomë, në të dyja katet e saj. Dhomat janë bosh, shumica e tyre. Në ndonjë syresh, ruhet ende, ndonjë raft i bardhë a i murrmë prej druri, ndonjë karrige, stol a komodinë e drunjtë. Në korridore ka dyer e dritare, shkallë e skela që u shërbejnë punëtorëve për të arritur tavanet. Një pjese të mureve u është hequr suvaja e dëmtuar (ku kanë dalë edhe detaje interesante), disa prej dritareve janë çmontuar, të tjera janë ruajtur ende, ashtu siç ishin në formë katërkëndore apo me hark sipër.
Laboratori dhe dhoma e sendeve të ruajtura
Dy janë dhomat ku mund të shohësh ende “Shtëpinë me gjethe”. E para, dhoma-laborator dhe e dyta, dhoma ku janë mbledhur të gjitha sendet e përdorura në “Shtëpinë me gjethe” në kohën kur ajo përdorej nga Sigurimi i Shtetit si godinë prej ku përgjoheshin shqiptarët.
Dhoma-laborator(mbase shërbente për fotografitë) gjendet në kat të parë. Gjithë çka mbetur prej saj, janë ato që shihen në foto. Një pjesë janë kaluar në tjetër dhomë për t’u ruajtur. Ajo është e ndarë në dy ambiente. Përveç ambientit të parë, është edhe një kthinë. Askush prej atyre që punojnë aty, nuk është në gjendje të na shpjegojë se si funksiononte ky laborator(lavamani, provëzat prej qelqi), çfarë të dhënash merreshin, si përpunoheshin dhe ku shkonin. As se ç’funksion kishin objektet e tij, as tubi që prej kësaj dhome del në dritare. Për këtë, duhet të presim që kjo godinë të kthehet në muze. Kthina ngjitur, ka përmasa më të vogla. Lidhen me një derë, që nga laboratori të çon në ambientin tjetër.
Ndërkaq, dhoma më e rëndësishme është ajo që luan tani rolin e ‘arkivit’. Në një hapësirë të bollshme po në katin e parë, janë vendosur, aparate fotografish, kompjutera, monitorë, incizues, mikrofona, kaseta, radio, televizorë, valixhe të vogla ku viheshin aparatet e regjistrimit, çanta dore, njësi të ndryshme që përdoreshin për përgjim(ndokujt mund t’i ngjajnë edhe me pajisjet që kanë sot televizionet në zyrat e regjive e të transmetimit), dhe në fund, gjendet edhe një bllok, ku ka imazhe të vendeve ku iu viheshin njerëzve përgjuesit. Sipas bllokut, përgjuesit futeshin në: çanta, vazo, çibukë duhani, ventilatorë, mbajtëse shishesh alkooli, në kuadro, në kornizat e pikturave a fotografive. Ndër sendet e mbetura ende, është edhe një pallto, palltoja-përgjuese, me një xhep të brendshëm ku vihej incizuesi, e mandej kopsën ku dilte mikrofoni(siç mund ta shihni në foto).
A ka një bodrum a një dhomë ku kryheshin tortura? Punëtorët mohojnë me kokë, duke shtuar se ajo është legjendë. Ndërkaq, në oborr(shih fotografinë me biçikletë), diku në vitet 1970-1980, qe ndërtuar një tunel, që do të shërbente për strehimin e personelit në rast sulmi. Me të, ende nuk dihet ç’do të bëhet.
E ardhmja
Ledion Lako, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, thotë zyrtarisht për “Gazeta Shqiptare” se “godina e ish-selisë së Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit është Monument Kulture i kategorisë së dytë. Kanë filluar punimet për restaurimin e objektit, ku është restauruar e gjithë çatia, është punuar në ambientet e brendshme dhe është bërë dhoma e ashensorit; ditët në vijim do të bëhen instalimet elektrike dhe mekanike. Kjo është faza e parë e zbatimit të projektit. Faza tjetër konsiston me platformën e muzeut, ku do të përcaktohet se cilat objekte do të ekspozohen sipas dhomave përkatëse. Duke vazhduar me projektin përfundimtar të muzealizimit”.
Në njoftimin e shpërndarë në muajin janar të këtij viti, Ministria e Kulturës shprehej se: “Një nga hapësirat e muzeut do t’u dedikohet edhe përgjuesve-mikrofonave të fshehur. Një hapësirë e dytë do t’u dedikohet “Mikrofonave të gjallë”, informatorëve. Një hapësirë e tretë do t’i dedikohet paradigmës së “armikut” (objekti i përgjimit), si një mit dhe imazh paranojak, si dhe gjithëpërfshirjes së tij që e bënte të domosdoshëm gjithëpërfshirjen e përgjimit. Një hapësirë e katërt do t’i dedikohet edhe lidhjes midis idesë së armikut të brendshëm dhe armikut të jashtëm”. Gjatë muajit gusht, Shqipërinë e vizitoi drejtori i muzeut të ish-Stasit gjerman (Berlin-Hohenschönhausen Memorial), Hubertus Knabe. Në një takim me ministren Mirela Kumbaro, u fol edhe për një bashkëpunim mes palëve, për muzealizimin e kësaj godine. Gjatë vizitës në “Shtëpinë me gjethe” ai u shoqërua nga shkrimtari Bashkim Shehu, i cili është pjesë e grupit të punës për muzealizimin e ish-Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb