Britania dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një marrëveshje për tregtimin e mallrave që shkojnë nga Londra në Irlandën e Veriut.

Kjo marrëveshje shënon një përparim në bisedimet mbi protokollin e diskutueshëm të Brexit.

Sekretari i Jashtëm, James Cleverly, dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Maroš Šefčovič, në një deklaratë të përbashkët për shtyp e përshkruan takimin si “i përzemërt dhe konstruktiv.

Ata thanë se marrëveshja ishte një “parakusht kritik për ndërtimin e besimit dhe sigurimin e sigurisë” dhe “siguroi një bazë të re për diskutimet BE-MB”. Pakti mund të paralajmërojë gjithashtu një mundësi të kryeministrit për të rindërtuar marrëdhëniet Britani-BE, të cilat ishin të tensionuara nën qeverisjen e Boris Johnson.

Në shenjë të intensifikimit të bisedimeve, edhe ministri i jashtëm i Irlandës, Micheál Martin, do të zhvillojë një takim në Bruksel me Shefçoviçin.

Përpos lajmit të mirë, një zyrtar i BE-së ka paralajmëruar se çështjet si doganat, kontrolli i bimëve, kafshëve, ushqimeve dhe roli i gjykatës evropiane të drejtësisë janë ende të pazgjidhura.

Mosmarrëveshja midis Britanisë dhe BE-së përqendrohet në dy çështje kryesore: kontrollet e mallrave dhe roli i gjykatës evropiane të drejtësisë në rast mosmarrëveshjesh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb