Britania e Madhe njoftoi dje sanksionet e marra në koordinim me Kanadanë, që synojnë tetë zyrtarë bjellorusë, përfshirë presidentin Alexander Lukashenko, për shkak të shtypjes me dhunë të protestave në Bjellorusi.

“Britania e Madhe dhe Kanadaja kanë dërguar një mesazh të qartë duke vendosur sanksione ndaj regjimit të dhunshëm dhe mashtrues të Aleksandër Lukashenkos”, tha në një deklaratë ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab, në lidhje me zgjedhjet e diskutueshme presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi.

“Ne nuk i pranojmë rezultatet e këtyre zgjedhjeve të manipuluara”, shtoi ai.

Duke marrë efekt të menjëhershëm, këto sanksione të reja përfshijnë një ndalim udhëtimi në këto vende dhe ngrirjen e pasurive të tetë përfaqësuesve të regjimit bjellorus, përfshirë Aleksandër Lukashenkon, djalin dhe këshilltarin e tij, Viktor Lukashenko dhe kreun e administratës presidenciale, Igor Sergeyenko.

Kjo është hera e dytë që BM përdor mekanizmin e ri, të njoftuar këtë verë, për të sanksionuar në mënyrë të pavarur shkeljet e të drejtave të njeriut, pas largimit nga Bashkimi Europian janarin e kaluar.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb