TIRANE- Mundet që të jenë edhe legjenda, por thuhet për shumë nga aktorët e mëdhenj të Hollivudit se nuk i shohin filmat e tyre. Angelina Jolie apo Julianne Moore, nuk kanë parë asnjë nga filmat ku kanë luajtur vetë.

Specialistët kanë shpjegime të hollësishme lidhur me këtë, por është e qartë që një farë ankthi për atë që mund të shohin, i pengon. Si kam luajtur, si do të dukem, si do të më gjykojnë?! Ndodh kjo, sidomos me rolet e para. I ka ndodhur edhe aktorit Bujar Asqeriu, por ai nuk e la veten të mbërthehej nga fobitë deri në atë masë sa të mos i shihte filmat. Ama, kur ka parë të përfunduar filmin e tij të parë, xhiruar në kohën kur ishte ende student, “Në shtëpinë tonë”, kishte dhjetëra pikëpyetje e pasiguri. Mungesa e përvojës lëkundi edhe vetësigurinë e vlonjatit. Ishte aq i hutuar sa habitej se si ishte e mundur që të tjerëve, kolegëve, u pëlqente interpretimi i tij në atë film. Ai vetë do të ndryshonte e përmirësonte plot detaje sikur ta luante edhe njëherë.

Por, meqë kjo nuk ishte e mundur, do ta bënte në filmat e tjerë, që për fatin e aktorit të ri erdhën njëri pas tjetrit. “Radiostacioni” dhe “Liri a vdekje” ishin dy filmat pasardhës që i zbutën ca pasiguritë e Asqeriut, që vijonte të ishte student. Ende sot, krejt i sigurt, nuk është ndier në asnjë rast. Mendon se kulmi, pavarësisht llojit të profesionit, nuk mund të arrihet asnjëherë. “Nëse mendon se ke arritur majat, gënjen veten”, thotë ndërsa është në provat gjenerale të shfaqjes “Lideri”, që u transmetua mbrëmë në Teatrin Kombëtar. Jo se 120 rolet që numëron në këto 26 vite të karrierës së tij nuk kanë ndikuar t’i jepnin sigurinë e profesionistit, e kanë bërë. Ama, emocionet e përballjes së parë me kamerën nuk ka për t’i harruar asnjëherë, sidomos kur ndër të tjera skenari parashikonte edhe një histori dashurie…

Përveçse ka qenë filmi juaj i parë, çka nënkupton një farë vështirësie emocionale që mund të jetë zbutur në filmat pasardhës, kam dëgjuar që me aktoren Tatjana Leskaj, ajo që do të bëhej partnerja juaj në film (nuk e kemi parë në role të tjera), keni pasur marrëdhënie konfliktuale. Nuk i di arsyet, por dua të di çfarë ndodh me aktorin në raste të tilla kur nuk i ndryshon dot vendimet e regjisorit? A ju është bërë ju konkretisht i gjithë procesi dyfish i vështirë?
Jo, nuk kam pasur asnjë konflikt me Tatjanën, por edhe nëse do të kishte pasur, simpatitë dhe antipatitë në rastin tonë, por edhe të cilitdo profesion, duhet të ngelen personale, nuk kanë pse ndërhyjnë në sheshxhirim. Për më tepër që këtë nuk e lejon as regjisori. Është ai që i merr vendimet, me të cilat ti ose vendos të biesh dakord, ose do tërhiqesh. Sa i takon vështirësisë sime, nuk e mohoj që kontakti i parë me kamerën ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm, i cili me përvojën bëhet i menaxhueshëm më pas.

Ana dhe Fatosi te filmi “Në shtëpinë tonë” janë në një marrëdhënie dashurie të shprehur vetëm me shikime, edhe ato jo aq të guximshme. Mungesa e mundësive për shkak të kohës, për të përdorur të gjitha mënyrat që kanë nevojë të shpreheshin ndjenjat, ishte barrë për ju. Në ato pak shikime vjedhurazi duhet të përqendronit të gjitha fuqitë interpretative. Si e gjykoni sot, ia keni dalë?
Aq ishin mundësitë tona atëherë. Dashuria nënkuptonte një prekje në sup e shumta, që as kjo nuk ndodhi, një puthje në faqe. Për të kompensuar mungesën e skenave afektive do ta shprehnim dashurinë me shikime, këtë element kishim në dorë. Ato tentativat për të përfshirë në film skena puthjesh, siç kam dëgjuar kohët e fundit, më duken tani biseda të kota. Askush nuk të linte të putheshe atëherë dhe kjo gjë ishte e qartë për të gjithë. Të flaknin skenarin dhe nuk kishe ç’bëje asgjë.

Meqë dolët vetë këtu…Regjisori i filmit “Njeriu i mirë”, Kristaq Mitro, ka thënë se ka dashur të ketë një puthje mes jush dhe Eva Alikajt, pra Telos dhe Verës. Eva e ka refuzuar, po ju, ç’qëndrim keni mbajtur?
Atë qëndrim që u thashë edhe pak më lart se puthje në atë kohë nuk mund të kishte. Sot njerëzit mund të dalin e të thonë ç’të duan, por nuk ka më vlerë. E kujtoj që erdhi më tha Eva asokohe se ishin konfliktuar për shkak të kësaj kërkese të Mitros e se kishte ndërprerë xhirimet, por unë nuk kam qenë i pranishëm. Kur më tha arsyen e mbështeta, nuk kishte pse të bëhej diçka që nuk do të shfaqej kurrë.

Edhe pse skenat e puthjeve nuk ishin, ju e kolegët tuaj ishit sidoqoftë në qendër të vëmendjes. Mundët për shembull që për shkak të këtij statusi, ta kishit më të lehtë të rrëmbenit puthje jashtë filmave?…
Këto janë fryrje që kanë ndodhur në imagjinatën e njerëzve, meqenëse ne ishim aktorë e pale se çfarë bënim. Për shkak se filmi të jep popullaritet, njerëzit të njihnin e të flisnin, por nuk është se kishim lirinë ne meqenëse ishim aktorë të bënim gjëra që koha t’i dënonte, apo ndaj të cilave ishte e vëmendshme. Marrëdhëniet e punës ngeleshin gjithnjë profesionale pa i kapërcyer caqet.

Mundet që ky të ketë qenë vetëm rasti juaj, por, sidoqoftë ju jeni lidhur me bashkëshorten tuaj në moshë fare të re. A i shkaktohen aktorit skena xhelozie nga partnerja, për shkak të një roli?
Unë jam lidhur me time shoqe pikërisht në kohën kur po xhirohej filmi im i parë, “Në shtëpinë tonë”. Skena xhelozie jo vetëm që nuk ka pasur, por dashuria që po jetoja unë në ato kohë ndihmoi në realizimin e rolit. Dashuria e vërtetë që po përjetoja, më përmirësoi, më dha efekte pozitive, të cilat dashur pa dashur shpreheshin edhe nga Fatosi. Ndihesha i frymëzuar dhe nuk e di si do të kishte dalë ai rol nëse gjendja ime shpirtërore nuk do të kishte qenë e atillë.

Me batutat e filmave shqiptarë luhet ende sot. Cilat kanë qenë ato më tipiket që ju përmendnin gjithnjë të njohurit ose jo?
Dikur, vajzat më ngacmonin shumë me një batutë të Telos. I thosha Verës në film meqenëse kishte shkruar emrin tim në dorë: “Pse, kaq i vogël jam unë?”, pra, aq sa të më shkruash në dorë. Ky ishte rasti që përmendnin më shpesh, por edhe “Sa e ke orën o shok?”, nuk ngelej mbrapa.

Me Telon ju identifikojnë të gjithë… Po ju keni personazh të preferuar?
Është e vërtetë që janë disa role, të cilat puthiten me ty menjëherë, sikurse ka të tjera, në të cilat përpëlitesh e mundohesh gjatë për të qenë në formën e duhur. Ndoshta, personazhi i Telos i takon rastit të parë. Është e domosdoshme faza përgatitore e aktorit, hulumtimi e analiza e të gjitha detajeve të karakterit, ta shohë veten se sa elastik mund të jetë, përndryshe gjërat nuk funksionojnë.

Aktorët tregojnë shpesh momente nga paskuintat e xhirimeve, në të cilat janë gjendur në vështirësi. Ju, a ju ka ndodhur?
Situata të befasishme që të vënë në vështirësi ka pafund, sidomos atëherë kur kushtet e xhirimeve nuk ishin nga më të mirat. Me gjithë punën dhe gatishmërinë e të gjithëve sepse e tillë ishte mënyra e punës dikur, teknikat ishin të prapambetura. Kishte edhe veprime të vogla që në film shikuesi as që i vë re, por që ty të kanë krijuar pengesa sepse nuk ke ditur ku të përqendrohesh të lëvizja fizike apo te gjendja psikologjike. Pra, teknikat nuk mund t’i jepnin aktorit komoditetin që i nevojitej. Mund të ndodhte që për arsye krejt të kota të rrinim ditë të tëra pa xhiruar. Për të mos folur për kushtet tona pastaj që jetonim vetëm me atë dietë që merrnim dhe e gjithë kënaqësia të vinte vetëm nga mbështetja dhe vlerësimi i publikut.

Si ishte roli i fundit te shfaqja “Lideri”?
Dua të them së pari se autori, Eugen Ionesco, është një nga përfaqësueset më të mirë të teatrit. Solli një rrymë të re në teatër, atë të absurdit. Logjika, si veprimtari kryesore e qenies, ka edhe alogjiken. Ky absurditet rritet e merr përmasa të tjera, duke ndikuar në jetën e njeriut në mënyrë të çuditshme. Njeriu shfaq kontradiksione të panumërta, do, por nuk di çfarë do, kërkon pa e ditur se çfarë, do të shprehet, por nuk di se si…Të gjitha këto ndjesi shpalosen nga ky autor, prej të cilit unë kam pasur fatin të luaj 4 pjesë. Nuk pretendoj ta njoh në themel veprën e tij, por kaq sa e kam njohur, mendoj që janë pjesë që i bëjnë mirë teatrit. Figura ime te “Lideri” simbolizon një paranojë të atyre që qëndrojnë në krye të turmave dhe pretendojnë se mund të sillen me to si të duan, edhe duke i shkelur. Më pëlqen që ka një kontrast në këtë pjesë sepse këta njerëz harrojnë që siç janë të frikshëm për disa, kanë frikë vetë nga disa të tjerë, pra figura ka thyerje. Sindroma e turmës mund të shpjegohet me sëmundjen e ujkut. Nëpër male, ujku, pasi shqyen 4¬5 dhen, e merr njërën në qafë dhe ikën në pyll. Mirëpo ai ka lënë të tillë energji në turmë që i bën të gjitha delet që mendojnë se kanë shpëtuar, ta ndjekin nga pas. Thuhet se kjo ekziston edhe te njeriu dhe unë uroj që njerëzit të shpëtojnë prej saj.
(ed.me/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: