Koordinatori i programit ekonomik në PD, Dorjan Teliti, ka ngritur alarmin për gjendjen e bujqësisë në vend, duke e cilësuar atë si një sektor në “koma”, ndërsa importet e ushqimeve po arrijnë nivele rekord.
Teliti thotë se, sipas të dhënave të fundit, importet e produkteve ushqimore janë rritur me 19% vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2026.
Rritje të ndjeshme është regjistruar edhe në importin e frutave dhe zarzavateve, të cilat po hyjnë në treg me ritme dyshifrore.
Teliti thekson se kjo situatë tregon një prirje të qartë: Shqipëria po prodhon gjithnjë e më pak dhe po mbështetet gjithnjë e më shumë tek importet. Sipas tij, fermerët vendas po përballen me kosto të larta për naftën dhe inputet bujqësore, ndërkohë që mbështetja financiare nga shteti mbetet ndër më të ulëtat në rajon.
“Rezultati është i pashmangshëm: tregu mbushet me produkte të importuara, ndërsa prodhimi vendas dobësohet nga viti në vit”, shprehet ai.
Duke e konsideruar situatën më shumë se një problem ekonomik, Teliti e cilëson atë si një dështim të qëllimshëm politik në kurriz të qytetarëve shqiptarë.
Sipas tij, bujqësia nuk ka qenë në krizë në vetvete, por politikat qeveritare e kanë çuar sektorin drejt përkeqësimit.
