Parlamenti i Hong Kongut ka miratuar një ligj i cili është kritikuar masivisht në arenën ndërkombëtare, duke e quajtur një goditje shkatërruese për liritë në vend.

Autoritetet vendase e konsiderojnë një ligj të tillë si thelbësor për stabilitetin në vend, pasi në nenin 23 të tij parashikohen një sërë veprash të cilat konsiderohen si tradhti kombëtare.

“Legjislacioni i ri i sigurisë kombëtare, me anë të dënimeve të ashpra do të dyfishojë shtypjen ndaj lirive në Hong Kong”, tha Frances Hui, një aktiviste e cila tani jeton në SHBA.

Një grup prej 81 ligjvënësish dhe figurash publike nga e gjithë bota, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Kanada dhe Korenë e Jugut, lëshuan një deklaratë të përbashkët të martën duke shprehur “shqetësime të mëdha” për nenin 23.

“Legjislacioni minon të drejtat e procesit të rregullt dhe të gjykimit të drejtë dhe shkel detyrimet e Hong Kongut sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, duke rrezikuar rolin e Hong Kongut si një qytet i hapur ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

Shtetet e Bashkuara thanë se janë “të alarmuar” nga dispozitat, shqetësim ky në të cilin u përfshi edhe BE.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron tha se ligji do të “dëmtojë më tej të drejtat dhe liritë” dhe “do të rrënjosë kulturën e vetëcensurës” në ish-koloninë britanike.

Në sajë të këtij ligji jo vetëm që do të shënjestrohen personat të cilët kryejnë vepra, por edhe familjarët apo të afërmit e tyre. Subjekt i ligjit janë aktivistë të cilët jetojnë jashtë vendit, për të cilët shpesh qeveria ka vënë edhe shpërblim për kapjen e tyre, të cilët më pas mund të përballen me dënime deri në burgim të përjetshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: