TIRANË

Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka folur sot në seancën plenare duke i dërguar një mesazh edhe kryeministrit Edi Rama.
Duke e nisur me raportin e KQZ, Bushati tha se politika shqiptare është në një situatë të paprecedentë duke iu referuar dorëzimit të mandateve nga deputetët e dy partive parlamentare, e duke iu bashkuar opozitës në krahasimin me Venezuelën.

Ai tha se djegia e mandateve nuk legjitimohet dhe se opozita tregoi me këtë veprim një lloj kapitullimi. Gjithsesi Bushati nuk kurseu një kritikë për të vetët kur tha se maxhoranca nuk mund të jetë arrogante.

“Nuk ka diskutim që politika shqiptare për herë të parë është në një situatë të paprecedentë. Kemi qenë shpesh në rreth-rrotullime, kemi gjetur tabelën exit për të dalë nga këto rreth-rrotullime, por për herë të parë në historinë e pluralizimit të Shqipërisë, një parti apo dy parti politike parlamentare kanë dorëzuar mandatet e tyre, të dhëna nga populli. Natyrisht ky është një precedent i ri, vetëm për demokracitë e reja në Europën Qëndrore dhe lindore por edhe për vende me regjime despotike, siç është rasti i Venezuelës.
Nuk ka një mendje racionale, qoftë kjo shqiptare apo ndërkombëtare për të legjitimuar djegien e mandatave si instrument politik për të arritur një objektiv të caktuar. Qoftë rrëzimin e një qeverie, ndërrimin e një kryeministri apo provokimin e zgjedhjeve të parakohshme. Aq më tepër kur ky kuvend u konstituua në bazë të zgjedhjeve të 2017-ës të cilat u organizuan në një qeveri të përbashkët ku institucionet kyçe u drejtuan nga opozita në atë kohë dhe kur ky kuvend u pranua pas zgjedhjeve të 2017-ës edhe nga opozita këtu teksa bëri betimin dhe një pjesë të punës së saj për 1 vit e gjysmë. Është po ky kuvend dhe po këto zgjedhje të cilat kanë marrë certifikimin e OSBE-ODHIR dhe në të gjithë e kemi pranuar që OSBE-ODHIR është autoriteti ndërkombëtar i padiskutueshëm për sa i përket standardeve zgjedhore.
Megjithatë nuk mund ta mohojmë faktin se boja, vezët, vaji, mielli në parlament kanë dalë sot në rrugë. Sot në rrugë janë zëvendësuar me kapsollën, nga përplasja gabimisht e muskujve me policinë dhe tek baltosja e institucioneve të shtetit shqiptar. Duke dalë nga parlamenti, unë jam i bindur që opozita ka dëshmuar një lloj frike dhe një lloj kapitullimi. Por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë, nuk mund të na bëjë ne të harxhojmë orë të tëra duke u marrë me protestat e opozitës. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetpërmbushëse. Ne jemi PSSH, ne jemi socialist, demokratë, progresist. Ne duam që të ndërtojmë një shoqëri të drejtë, një shoqëri më të mirë, për fëmijët tanë por edhe për fëmijët e opozitës që mungon këtu në sallë”, deklaroi Bushati.

Ai tha se kjo është arsyeja që unë e mbështes propozimin e Damian Gjiknurit për t’i ofruar një hapësirë më të madhe të gjithë aktorëve politikë sepse demokracinë nuk e konceptoj si procedurë të thjeshtë. “Demokracia procedurë është zëvendësimi formal i listës së partisë demokratike dhe lëvizjes socialiste për integrim. Por demokracia është edhe thelb dhe fakti që ne krijojmë mundësinë për një marrëveshje të ardhshme për kodin zgjedhor për rregullat e lojës, qoftë me opozitën parlamentare por mbi të gjitha për opozitën politike, besoj se është shprehja më e lartë e ndërgjegjësimit që ka Partia Socialiste e Shqipërisë, Socialistët progresistët shqiptarë për fatet e demokracisë dhe për fatet e Shqipërisë”, theksoi Bushati.

Ish-ministri u shpreh më tej se nuk ka javë më të rëndësishme se kjo që po mbyllim për të shprehur respektin për të gjithë ata që kanë shërbyer në këtë vend me të mirat dhe të këqijat e tyre.
“Kjo javë përkon me 10-vjetorin e Shqipërisë në NATO. Nuk fillon 10-vjetori i Shqipërisë në NATO me gjeneratën time politike, nuk fillon as 70-vjetori i NATO-s si organizatë, e cila pikë së pari është një organizatë politike dhe më pas ushtarake me ne këtu, por me të gjithë ata që vuajtën burgjeve të komunizmit që e kërkonin Shqipërinë si gjithë Evropa. Me studentët e dhjetorit që u ngritën dhe nuk e imagjinonin dot kur e kërkonin Shqipërinë si gjithë Evropa në 90-ën që edhe pas 30 vjetësh Shqipëria ende do të përpëlitej do ti hapim apo nuk do ti hapim negociatat”, deklaroi ai.

Bushati theksoi se kjo është java që ne duhet të përkujtojmë 10-vjetorin e kontratës më angazhuese që ky vend ka me Bashkimin Evropian, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe duhet të shohim nga fqinjët tanë dhe të kuptojmë se pse 10 vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje ne nuk kemi hedhur hapin vendimtar përpara. “Pse, 13 vjet nga firmosja e kësaj marrëveshje në 2006-ën, ndërkohë që në marrëveshje shkruhet shumë qartë që brenda 10 viteve do të përgatitet vendi për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, ne jemi këtu ku jemi. Dhe kur flasim për mbyllje të tranzicionit, ne duhet ta mbyllim tranzicionin vetëm kur të përkojë me reformat të cilat e afrojnë vendin me Bashkimin Europian. Sot është dita për të shprehur mirënjohjen ndaj shërbimit të jashtëm shqiptar, sot është dita për të shprehur mirënjohjen ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, ndaj Forcave të Armatosura të këtij vendi. Janë dy institucione të krijuara me 4 dhjetor të 1912-ës. Janë ndër të paktat pasuri që nuk i shkatërroi dot asnjë lloj regjimi. Janë pasuri të cilat nuk mund të vihen në pikëpyetje”, tha Bushati.
Ai deklaroi më tej se nuk është mbrojtës asesi i status-quos, ‘nuk jam as partizan i nostalgjive të dikurshme, por aty ka burra e gra të cilët kanë punuar me përkushtim për Shqipërinë anëtarë të NATO-s’.
“Aty ka burra e gra që kanë shërbyer në misione dhe kanë vëne jetën e tyre në rrezik për Shqipërinë anëtarë të NATO-s, për ti rritur reputacionin ndërkombëtar këtij vendi, edhe në kushtet kur ne klasa politike, kemi bërë baltën mullar në këtë vend. Prandaj është dita që ne të kuptojmë dhe të vlerësojmë mundin e heronjve të heshtur, e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi që e kanë bërë Shqipërinë më krenare seç mund ta ketë bërë klasa politike”, tha Bushati.
Ish-ministri theksoi se sot jemi në një udhëkryq të madh. “Lexova Financial Times, një prej gazetave më prestigjioze në vend. E dini me çfarë hapej në faqen e parë? Me foton selfi të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe Kryeministrit Grek për arritjen e madhe historike pas 3 dekadash. Unë sot pyes. Si ka mundësi z.Ruci që pas tre dekadash si politikan me eksperiencë, si ka mundësi z.Ulqini, si ka mundësi z.Majko, e deri te kolegia që foli për herë të parë në këtë parlament. Pse kur Grekët e Maqedonasit e gjejnë gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi me e gjet gjuhën me njëri-tjetrin.
A jemi të gjithë shqiptarë, a jemi pjesë e një kombi? Pse e kemi kaq të vështirë dhe turpërojmë veten tonë lart e poshtë. Pse nuk e gjejmë dot ne gjuhën për të parë përpara? Çfarë do t’i themi sot ne një 30-vjecari?”, tha Bushati

Shikonin një fakt të rëndësishëm, theksoi ai. “Njerëzit që luftuan gjatë luftës së II-të botërore po mbesin gjithnjë e më pak, për shkak të arsyeve biologjike.
Njerëzit që kontribuuan në komunizëm për atë që konsiderohet pasuria kolektive, ose sot janë dëshpëruar dhe e kanë lënë këtë vend për shkak se pasuria u grumbullua te një rreth vicioz njerëzish. Po 30-vjecarët që kanë lindur në 89-90 që nuk e dinë çfarë ishte komunizmi? Si do ta shpjegojmë këtë prapambetje në raport me fqinjët, jo me Evropën e vlerave demokratike. Do vazhdojmë të themi që ishte faji i komunizmit, ishte faji i Enverit? 30 vjet është më shumë se nga shpallja e Pavarësisë shtet në 1912 dhe nga fillimi i luftës së I botërore, apo pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste. 30 vjet janë më shumë se periudha mes dy luftërave botërore. 30 vjet nuk e justifikojnë dot votën dhe besimin që na kanë dhënë Shqiptarët. Prandaj, është momenti i fundit që ne të shohim për nga e ardhmja dhe mos bëhemi nostalgjik të së shkuarës”, deklaroi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb