TIRANË- Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, priti në një takim Ambasadoren Audrey Glover, e cila kryeson Misionin Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 21 qershorit në Shqipëri. Ministri Bushati i shprehu znj. Glover angazhimin e plotë të Qeverisë shqiptare për të krijuar kushtet për një proces të drejtë e të ndershëm zgjedhor, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Duke i cilësuar zgjedhjet si një provë për demokracinë, Ministri Bushati vlerësoi ekspertizën dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR, si një ndihmesë të vyer për arritjen e standardeve demokratike. Nga ana e saj, Ambasadorja Glover shprehu falënderime për ftesën e qeverisë shqiptare për monitorimin e zgjedhjeve dhe njohu Ministrin Bushati me punën e deritanishme të Misionit Vëzhgues dhe angazhimet deri ditën e zgjedhjeve. Në lidhje me veprimtarinë pas-zgjedhore, Ambasadorja Glover u ndal tek vëmendja që do të kërkojë procesi i numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultateve.

Bashkëbiseduesit ndanë mendime dhe mbi karakteristikat e zgjedhjeve vendore dhe rëndësinë që marrin zgjedhjet e 21 qershorit në kushtet e zbatimit për herë të parë të reformës së re territoriale dhe sfidave që e shoqërojnë këtë proces.

Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 21 qershorit në Shqipëri e filloi veprimtarinë në vendin tonë më 15 maj 2015. 20 vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurtër do të monitorojnë të gjitha fazat e procesit zgjedhor, veçanërisht regjistrimin e kandidatëve dhe votuesve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe të organeve përkatëse shtetërore, legjislacionin zgjedhor dhe zbatimin e tij, mjedisin mediatik, numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultateve.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: