NGA: ORNELA MANJANI*
Që në muajin e parë, buxheti i vitit 2016 ka marrë goditjen e parë, me rreth 3 miliardë lekë minus. Mosrealizimi vjen si pasojë e uljes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, ku aktualisht një fuçi shitet me 28 dollarë, nga 40 dollarë që ishte në muajin dhjetor. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka shfajësuar institucionin që ai drejton për parashikimin e pasaktë mbi të ardhurat.

“Ne këtu ishim të gjithë bashkë, të gjitha institucionet i kemi pyetur. Kemi marrë për bazë çmimet e naftës, duke kujtuar se nuk do kishte më ulje të çmimit të naftës dhe kjo ishte pika fundore e çmimit të naftës, dhe me të miratuar buxhetin e vitit 2016, filloi rënia e çmimit të naftës dhe, nga 25 lekë që ne llogarisnim të merrnim në buxhet me çmimet që ishin në atë kohë, do të marrim 20 lekë. Që tani ka goditje me Buxhetin 2016, por në atë kohë nuk gjetëm asnjë parashikim ndërkombëtar me emër në botë, bindës që çmimet e naftës e të gazit do të bien në këto nivele që kanë rënë, dhe që mendohet se do të qëndrojnë deri në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Në teori janë 3 miliardë minus që tani të ardhura, sepse nuk e dimë si do të shkojë viti, po me këto çmime nafte që po vërtetohen, –2.9 është rezultantja tani direkt”, – tha Cani.

Ministri e bëri deklaratën gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, ku ishte për dy aktet normative të muajit dhjetor, për ndryshime në buxhetin e vitit 2015. Pas deklarimeve të ministrit, opozita braktis Komisionin e Ekonomisë, votohet nga mazhoranca.

AKTET NORMATIVE
Kreu i Financave publike vuri në dukje se aktet normative garantojnë mbajtjen të pandryshuar të parametrave kryesorë të buxhetit të vitit 2015, duke i qëndruar strikt objektivit fillestar të uljes graduale të deficitit buxhetor dhe nivelit të borxhit publik. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode lëshoi akuza të forta ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Financave, që sipas tij, me ndërhyrjet e njëpasnjëshme në buxhet treguan mosnjohjen totale ndaj projekteve dhe programeve.

“E kemi pritur të gjithë një akt normativ në fund të vitit. Deficiti deri në fund të vitit arriti mbi 200 milionë dollarë, ndërsa u mblodhën rreth 350 milionë lekë më pak të ardhura nga ajo që programoi vetë qeveria, pavarësisht se ajo rriti taksat me 160 milionë dollarë”, – deklaroi Bode. Sipas deputetit Bode, kjo dëshmon seriozitetin dhe shkallën e njohjes që ka kjo qeveri në raport me financat dhe ekonominë e vendit. Dy aktet normative të qeverisë kaluan për miratim në seancën plenare të radhës në Parlament vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita votoi kundër tyre. Komisioni i Ekonomisë ka diskutuar dhe më pas miratuar aktet normative të qeverisë për Buxhetin 2016.

Ministri Cani ka prezantuar objektivat për vitin që sapo ka filluar dhe investimet që parashikohet të realizohen. Por deputetët e opozitës janë shprehur kundër akteve normative të qeverisë, dhe pas debateve kanë braktisur mbledhjen e komisionit. Aktet normative të qeverisë për Buxhetin 2016 janë votuar vetëm nga deputetët e mazhorancës të pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: