Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar largimin nga qeveria të ministrave që nuk arrijnë të realizojnë shpenzimet e parashikuara në buxhetin e shtetit, duke kritikuar mënyrën se si menaxhohen fondet publike.

Gjatë diskutimeve në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027, Braçe u shpreh kundër çdo situate që mund të vërë në rrezik realizimin e tij, duke përmendur si problematikë mosrealizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të planifikuara.

Socialisti theksoi se ministrat që nuk arrijnë të përdorin me efektivitet paratë publike nuk duhet të qëndrojnë në detyrë. Ai nënvizoi gjithashtu se abuzimi me fondet publike është i papranueshëm dhe se përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Ajo që unë nuk pranoj është që qeveria të rrezikojë buxhetin. Më qartë, mosrealizimi i buxhetit, mosrealizimi i të ardhurave apo shpenzimeve, në variantin që ka disa vite që po ndodh.

Vjet këtu thashë që ministrat që nuk realizojnë shpenzimet e planifikuara në buxhetin e shtetit duhet të ikin nga qeveria. Nuk ua ka borxh kërkush padijen dhe paaftësinë për të përdorur paranë publike me efektivitet, abuzimin me të jo e jo.

Kështu që i mbetem të njëjtës kërkesë: kush rrezikon realizimin e buxhetit dhe sjell risk serioz për të, nuk ka pse rri më në qeveri”, deklaroi Braçe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb