Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka komentuar zhvillimet brenda Partisë Socialiste dhe mesazhet e kryeministrit Edi Rama gjatë Asamblesë së PS-së. Sipas tij, Rama po vepron në interes të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila, sipas pretendimeve të gazetarit, ushtron ndikim të fortë mbi kreun e qeverisë.
Toska u ndal te përjashtimi i Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga strukturat drejtuese të Partisë Socialiste, duke pretenduar se të dy përbëjnë kundërshtarët më të mëdhenj të Ballukut. Ai përmendi gjithashtu edhe situatën e Erion Veliajt, si dhe raportet e tij me Ndrecën.
Sipas gazetarit, Rama dhe Balluku kanë krijuar një bashkëpunim për të ruajtur status quo-në politike, ndërsa fatet e tyre janë të lidhura me njëri-tjetrin. Toska komentoi edhe zhvillimet rreth Erion Braçes dhe deklaratat e Pandeli Majkos për 1000 orë filmime që disponon Ergys Agasi.
Gjatë intervistës, gazetari bëri edhe një pretendim të fortë, duke deklaruar se në SPAK ndodhen tri dosje të tjera që lidhen me Belinda Ballukun. Ai përmendi si çështje të mundshme hetimore aeroportin e Vlorës, Delvina Gas dhe bisedat për tregtinë e armëve mes Ballukut, Ron Yeffet dhe grupit të tij.
Pjesë nga deklarata e gazetarit Almer Toska në “Minuta e Parë”:
“Rama foli si kamikaz i Ballukut. Belinda Balluku, që prej kohësh e kontrollon Ramën, i dha atij disa detyra dhe ai po i kryen me shumë devotshmëri. Rama doli aty dhe kë përjashtoi? Spiropalin dhe Plarent Ndrecën, dy kundërshtarët më të mëdhenj të Ballukut.
Spiropali dhe Erion Veliaj, që ka avokat Ndrecën. Spiropali ka mbështetje nga ndërkombëtarët në BE dhe SHBA. Duke e parë si rrezik për marrjen e pushtetit, Balluku i dha urdhër Ramës. Veliaj, nga ana tjetër, ka filluar të flasë dhe Balluku e Rama kanë bashkëpunim për ruajtjen e status quo-së.
Rama, nëse largohet nga kryeministër, ia beson pushtetin vetëm Ballukut. Rama u tha socialistëve se janë M… i madh pa të. Votat i bën Balluku, Ergys Agasin e kishte Rama, votat në terren i bën Rama, korrupsionin e madh e bën Rama etj. Askush nuk ka potencën aty t’i përgjigjet Ramës.
Ndaj këta dy njerëz e kanë fatin të bashkuar: ose fundosen të dy, ose qëndrojnë të dy. Ndaj Rama tallet me ta dhe i telendis. Një mijë orë filmime që ka Agasi i përmendi Pandeli Majko. Erion Braçen e diskredituan. Sot Erion Braçe nuk flet më. Nuk është më agresiv politikisht ndaj Ramës, e ka ulur dozën e luftës politike. Ata kontrollojnë çdo gjë. Kujton Balluku se do të shpëtojë?”
**Për tri dosjet e pretenduara në SPAK:**
“SPAK ka tri dosje të reja për Ballukun. Nga kontaktet e mia në SPAK kam të dhëna, ka tri dosje të tjera për Ballukun.
Një është dosja e aeroportit të Vlorës. Behgjet Pacolli mund të tregojë çfarë ka dëshmuar në SPAK dhe para prokurorëve në Zvicër. Është një dosje që rëndon mbi Ballukun.
Dosja e dytë është Delvina Gas. Çështja e tretë është Ron Yeffet, bisedat për pazarin e armëve dhe bisedat e Ballukut me Ron Yeffet dhe grupin e tij për tregtinë e armëve, pazare të ndryshme etj. Është çështje shumë e nxehtë.”
