TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, njëherësh nënkryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi, ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me gazetarët duke vënë theksin tek reforma zgjedhore.

Duke theksuar se kjo reformë është në të vërtetë gur themeli për suksesin e çdo reforme tjetër, Bylykbashi tha se PD është ndeshur me refuzimin konstant nga PS dhe LSI, pasi sipas tij “PS propozon që të ketë komisione 4 me 3”.

Sipas tij, suksesi i kësaj reforme do të bëjë të mundur që në Parlament të mos futen kriminelë e më pas me votën e tyre të mos mbajnë peng reformat e tjera të rëndësishme.

“Reforma zgjedhore është gur themeli për suksesin e çdo reforme tjetër. Mazhoranca deri më tani nuk ka bërë asgje veçse deklarata publike dhe asnjëherë nuk është ulur me ne për rënë dakord ose për të bërë propozime. Suksesi i kësaj reforme do të bëjë të mundur që në Parlament të mos futen kriminelë. PS nuk ka bërë asnjë tentativë për të bashkëpunuar. Pala tjetër në komisionin e reformës nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka dëmtuar mekanizmin se si funksionon komisioni. Është e paprecedentë që në komision janë bërë vetëm deklarata. PS propozon që të ketë komisione 4 me 3. Ky do të ishte kthim mbrapa dhe krizë e madhe politike që mezi u zgjidh në 2005. Procesi zgjedhor është i rrezikuar nga kriminelet që kanë bërë pakt me kryeministrin. Rama madje i nxjerr edhe nga burgu. Me urdhër të tij dje në KQZ u kërkua të zgjaten sa më shumë ditët në mandat atyre që kanë bërë krime, përdhunime, etj. Pra me PS kriminelet do jenë edhe në 2017. Ata që do garojnë në 2017 të mendohen dy herë ose më shumë”, tha Bylykbashi.

Kreu i PD-së Durrës tha se kërkesë e partisë së tij mbetet përdorimi i teknologjive në votim, si mundësi më e mirë për të shmangur shitblerjet e masive të votës.

“Sistemi elektronik eliminon problemet siç është shitblerja e votës. Pasi siç e dini në Durrës pati një shitblerje masive të votës nga njerëz që prisnin të emëroheshin pas zgjedhjeve. Në çdo qendër votimi ka një agjent shitblerje vote, që kërkon të mbajë vendin e punës. Shembulli u dha në zgjedhjet e Dibrës. Është ndarë një pjesë parash për të blerë votat, karta identiteti, komisionerë, që vota e shqiptarëve të tjetërsohet. Kriminelet turren të marrin kartat e ID zgjedhësve. Identifikimi bionetrik e bën të mundur që në çështje sekondash zgjedhësi të identifikohet në mënyrë të sigurtë. Votimi elektronik e bën të pamundur manipulimin. Ajo që në propozojmë për votimin elektronik është që numërimi të bëhet në kohë rekord. Kaq mjaftojnë për çdo shqiptar, që te PD të gjejnë aleatin e tyre. Paratë janë. Nuk mund të justifikohet PS me kostot. Vetëm koha mund të na minojë. Ne nuk mund të bëjmë zgjedhje sepse s’na lejon koha. Rama kërkon që të konfirmojë pushtetin me vota që s’kanë lidhje me shqiptarët. Ne do të insistojmë në kërkesat tona. 12 pikat propozuese të PS janë tallje me shqiptarët”, deklaroi Bylykbashi.

Duke u ndalur tek financimi i partive, Bylykbashi tha se: “Paratë e shqiptarëve shkojnë në xhepat e partive. Shpenzohen para pafund në një rreth vicioz nga paraja e krimit. Kërkojmë uljen në mënyrë drastike. Të nxirren llogaritë se sa shpenzojnë partitë politike. Rama po vendos administratën në funksion të zgjedhjeve. Të kërcënosh me largim nga puna është turpi i madh i Ramës. Kjo reforme duhet ta fshijë këtë mënyrë veprimi”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb