NGA OLA MITRE

Ndërmarrjet italiane të Call Center, për të ruajtur nivelin e përshtatshëm të marzhit të fitimit, nuk do ritransferojnë veprimtaritë e tyre në Itali, por do t’i transferojnë (në disa raste e kanë bërë) në vendet e BE-së ku kostoja e punës është më e ulët”.

Ky është një prej argumenteve të përdorura nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ajo e Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes si dhe kompanitë e Call Center që operojnë në vendin tonë, në letrën që do i dërgohet senatit italian. Ashtu sikurse u ra dakord pak ditë më parë, në këtë letër pala shqiptare do të paraqesë kërkesën e saj për të mos miratuar ligjin e delokalizimit të këtyre bizneseve, që në thelb u rrezikon punën 25 mijë shqiptarëve.

“Ky dekret, pavarësisht se ka për objektiv mbrojtjen e punësimit të të rinjve në Itali, në fakt, në zbatim të tij, nuk do të mund të sjellë këtë rezultat, pasi në të përjashtohen të gjitha vendet e Bashkimit Evropian (duke përfshirë Rumaninë, Kroacinë, Slloveninë etj.), kur rezulton që ka shumë kompani italiane të këtij sektori, të cilat kanë transferuar ose janë duke transferuar aktivitete që kryhen në Shqipëri. Në fakt, nëse teksti i miratuar në Dhomën e Deputetëve do të mbetet i pandryshuar, dekreti do të penalizojë vetëm Shqipërinë, duke çuar në rënie të investimeve të kompanive contact center që operojnë në vendin tonë dhe një ndikim të ndjeshëm në punësimin e të rinjve tanë”, thuhet ndër të tjera në letër.

LET

Gjithashtu, në dokument argumentohet se propozimi i ri ligjor rezulton të jetë në kontrast të thellë me marrëveshjet e ndryshme bilaterale lidhur me Italinë. Po ashtu, “ndryshimet ligjore vijnë në një kohë kur Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat dhe vendet anëtare të BE-së, me mbështetjen e fortë të Italisë nëpërmjet ministrit të Jashtëm, Paolo Gentiloni”. Për këto arsye, pala shqiptare kërkon “marrjen në konsideratë të mundësisë së rishikimit të tekstit të këtij dekreti dhe të propozoni që, vendet të cilat janë në prag të hapjes së negociatave për në BE, të trajtohen nga ky propozim ligjor në të njëjtën mënyrë si vendet e BE-së”.

TAKIMI
Pak ditë më parë, ministri i MMSR-së, Blendi Klosi dhe ajo e Ekonomisë, Milva Ekonomi zhvilluan një takim me përfaqësues të kompanive Call Center në vendin tonë. Teksa u ra dakord për letrën e përbashkët drejtuar senatit italian, kryetari i Shoqatës së Call Center në Shqipëri, Gentian Drenova bëri me dije se projektligji italian ka filluar të japë efektet e para, pasi po ndikon në tërheqjen e investimeve nga Shqipëria. Në thelb, projektligji italian ndalon këto biznese të ushtrojnë aktivitetin e tyre në një vend që nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, çka nënkupton tërheqjen e tyre nga Shqipëria. Në rast se Italia i jep “OK” këtij propozimi, atëherë ai do të ketë një impakt të madh në ekonominë shqiptare, duke qenë se në këto biznese rezultojnë të punësuar 25 mijë vetë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb