Vetëm disa muaj pas parandalimit të sulmit terrorist të organizuar nga celula terroriste iraniane, më 22 mars 2018, kryeministri Edi Rama shpalli “non grata” dhe dëboi nga Shqipëria ambasadorin iranian, holamhossein Mohammadnia, si dhe një zyrtar tjetër të ambasadës, pasi kishte dyshime se janë përfshirë në aktivitete që cenojnë sigurinë në vend.

Ambasadori iranian në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia, ishte akuzuar nga muxhahedinët në vendin tonë si agjent i shërbimeve sekrete iraniane. Ndërkohë, që vendimi i kryeministrit Rama për ta dëbuar kryediplomatin e Iranit nga Shqipëria u përshëndet edhe nga zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.

Në letrën drejtuar Ramës, Donald Trump falënderonte kryeministrin shqiptar që iu ishte kundërvënë dhe kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve destabilizuese të Iranit.

“I dashur Z. Kryeministër: Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda. Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkura dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin. Sinqerisht, Donald Trump”.

Ndërsa, Mike Pompeo, teksa falënderonte Ramën, shkruante se dy agjentët iranianë kishin komplotuar sulmet terroriste në Shqipëri, dhe se SHBA kishte penguar tre vetëm për vitin 2018.

“Përgëzoj dëbimin nga kryeministrit Edi Rama të dy agjentëve iranianë që komplotuan sulmet terroriste në Shqipëri. Shtetet evropiane kanë penguar tre komplote iraniane vetëm këtë vit. Bota duhet të qëndrojë së bashku për të sanksionuar regjimin e Iranit në mënyrë që të ndryshojë sjelljen destruktive”, shkruante Pompeo në ‘Twitter’.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb