Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi deklaroi sot se censi që po organizohet në vend, rrezikon të kthejë në minoritete Himarën dhe Konispolin.

Sipas tij për shkak të parashikimeve ligjore, nëse 20% e popullsisë rezidente deklarohet greke, edhe fiktivisht prej instrumenteve që përdor Greqia si pensionet dhe dokumentet, këto njësi kthehen në dygjuhëshe.

Deklaratën ai e bëri në “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufën në News24.

Çfarë rreziku shikoni nga Censi që po bëhet?

Ne po e kthejmë Censin në një ushtrim të rrezikshëm për shkak të sensibiliteteve. Kjo prej futjes së 3 pyetjeve fakultative që bëhen me etninë, fenë dhe gjuhën. Na është thënë që janë rekomandime të OKB. OKB thotë se për vende që ka sensivitet një pyetje si etnia, feja dhe fertiliteti, këto vende zgjedhin të mos i përfshijnë pyetjet. Pra nuk e kemi detyrim, por janë futur se duhet të futen. Greqia vetë nuk e bën Censin me etninë dhe fenë. Gjermania, Franca, Italia, Hungaria nuk e bëjnë censusin me këto dy pyetje. Shqipëria në ligjin për pakicat kombëtare ka njohur 9 minoritete. Se sa janë këta nga pikëpamja sasiore nuk e gjejmë dot në census sepse këtu përfshihen vetëm rezidentët që janë brenda vendit.

Çfarë rrezikojmë të ndodhë?

Sa herë që bëhet kjo pyetje, ndizet historia me Greqinë. Është rasti tipik që nuk duhet futur. Kemi futur në sherr bullgarët dhe maqedonasit në Pustec dhe po zihen. Ne po pyetemi nëse tualetet i kemi me ujë të rrjedhshëm apo jo, që jemi të detyruar sipas ligjit ti përgjigjemi në mënyrë të drejtë dhe nëse nuk përgjigjemi kemi gjobë nga 500 mijë deri në 1 milionë lekë. Janë edhe pyetjet fakultative që pranojmë ti përgjigjemi ose jo. Nëse pranojmë të përgjigjemi, kemi detyrimin që të japim përgjigje të saktë. E kanë hequr këtë amendament. Kemi detyrim për sifonët dhe tualetet që të përgjigjemi saktë, ndërsa për etninë nuk kemi detyrim të përgjigjemi saktë. Ku është risku? Pakica greke nuk janë më shumë se 1%. Ne në ligjin për pakicat kemi përcaktuar që nëse janë 20% në një njësi administrative, këta kanë të drejtë të kërkojnë tabela dygjuhëshe, flamurin etj.

Si shkohet te ky 20%?

Ata që janë me linguistikë greke, shkojnë 11-14%. Në gjendjen civile janë 4-7%. Duke bërë këtë numrin 20%, që e kemi vetëm ne dhe asnjë vend i botës, kemi riskun që të rriten 4-5%. Vendimi i qeverisë greke i 2012 përcakton 108 fshatra dhe komuna në Shqipëri si zona minoritare për ata. A mund të ndodhë kjo që ata përcaktojnë zonat tona minoritare? Ata kanë futur edhe Nartën edhe Zvërnecin. Kjo bëhet për arsye se të gjithë ata që banojnë në këto vende kanë të drejtën e pensioneve dhe dokumenteve. Meqë që nga 1990 Greqia i ka përdorur të gjitha këto instrumente, ekziston mundësia që ne të dalim me presion dhe në mënyrë të stisur, dhe këtu është e rrezikuar Himara dhe Konispoli. Duke hequr barrierat për deklarimin e rremë, duke futur këtë pyetjen në mënyrë të paarsyeshme në census, duke vendosur në ligjin për pakicat 20%, janë një predispozicion shumë i madh që ta kthejmë vetë deklarimin në të rremë, që blihet, shitet dhe sponsorizohet nga Greqia. Kjo është arsyeja që kërkojnë edhe lirimin e Fredi Belerit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: