Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka folur në lidhje me miratimin e amnistisë penale.

Ajo u shpreh se gjyqtarët janë të prirur drejt masave ekstreme të arrestit me burg në shumë raste, gjë që kishte krijuar një disbalancë mes raportit të të paraburgosurve dhe të dënuarve me burg.

Sipas saj kjo përbën një kosto të majme për xhepat e qytetarëve, pasi për çdo individ të burgosur dhe të paraburgosur ka kosto.

Megjithatë ajo u shpreh se amnistia duhet të bëhej në atë mënyrë që të mos përfitonin personat e gjykuar nga GJKKO.

Lala u ndal te rasti i lirimit të Gëzim Sinomatit, i njohur si “buzëderri”, i cili u arrestua vetëm disa orë pas lirimit nga amnistia për shkak se kishte një dënim tjetër, gjë që sipas saj tregon se pati një mungesë të theksuar bashkëpunimi mes drejtorisë së burgjeve dhe policisë.

Po ashtu ajo komentoi edhe lirimin e Fran Frrokajt, ish-kryebashkiakut të Lezhës, të dënuar nga GJKKO, për të cilin ajo zbuloi se ndaj tij kishte një vendim nga gjykata e Shkodrës, për të cilin ai kishte përfituar.

Sa i përket vendmit të GJKKO, ai nuk është i formës së prerë dhe për Frrokajn do të vendose apeli.

“Fakti që gjyqtarët janë të prirur drejt masave ekstreme drejt arrestit me burg kishte krijuar një disbalancë, kishte më shumë të paraburgosur se të dënuar me burg. Kjo është kosto për xhepat tanë sepse ka një kosto të lartë për çdo individ të dënuar apo të paraburgosur. Amnistia duhet të bëhej, por në mënyrë që të mos përfitonin personat e gjykuar nga GJKKO. Ndalemi te rasti i atij që njihet si “buzëderri”, pati një mungesë të theksuar bashkëpunimi mes drejtorisë së burgjeve dhe policisë. Ai u arrestua disa orë pas lirimit sepse kishte një dënim tjetër.

Një nga emrat më të lakuar të botës së krimit, të cilit iu vra djali me snajper. Po ashtu ish-kryebashkiaku Fran Frrokaj. Manja deklaroi se nuk do përfitojë asnjë person që po hetohet, gjykohet apo dënuar nga GJKKO. Frrokaj kishte një vendim të dhënë nga gjykata e Shkodrës, ndërsa vendimi nga GJKKO nuk ka marrë formë të prerë dhe pret apelin. Ministri bëri një deklaratë të rreme, sepse mund të thoshte se kur ka një problematikë të tillë, mund ta specifikonte. Por këta nxitojnë sepse duan të bëjnë propagandë”, u shpreh ajo.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb