Në Dervician është shënuar sot 29-vjetori i Omonia-s ku të pranishëm krahas përfaqësuesve lokalë të bashkive të minoritetit në vend, krerëve të Omonia-s, ishin edhe përfaqësues të shtetit grek, deputetë të parlamentit grek, ambasadorja greke dhe konsulli grek në Gjirokastër.

Kreu i PBDNJ Vangjel Dule ka folur me tone të ashpra ndaj qeverisë shqiptare. Sipas tij, qeveria ‘Rama’ ka dështuar t’u përgjigjet kërkesave të kohës në lidhje me ruajtjen dhe respektimin e të drejtave të minoritetit.

Dule tha ndër të tjera se situata e minoritetit sot është e vështirë dhe se sistemi politik në Shqipëri ka rënë. Ai nuk ngurroi të vlerësonte Greqinë si mbështetëse e aspiratës së Shqipërisë për në BE.

“Përpjekje sistematike 29-vjeçare të Bashkimit Demokratik të Minoritetit Etnik Grek, OMONIA, të cilat lidhen me ruajtjen e identitetit, me ruajtjen e vlerave dhe të trashëgimisë të pjesëtarëve të minoritetit etnik grek; me sanksionimin e të drejtave të tyre në legjislacion, sic kërkohet nga Konventat Ndërkombëtare. Dule: Greqia, mbështetëse e aspiratës së Shqipërisë për në BE.
Ende konstatojmë se në vend që të shënohen hapa pozitive përpara, gjatë qeverisjes aktuale shënohen hapa që nuk kanë lidhje me realitetet e reja europiane në lidhje me të drejtat e pjesëtarëve të minoriteteve. Qeveria e zotit Rama që mban dhe kryesimin e OSBE, ka dështuar që t’i përgjigjet kërkesave të kohës në lidhje me të drejtat e minoriteteve. Që prej vitit 2017, muaji tetor parlamenti votoi një ligj për të drejtat e minoriteteve që për mendimin tonë nuk u përgjigjej kërkesave të kohës. Megjithatë edhe ai ligj, i cili kërkonte një numër vendimesh të Këshillit të Ministrave për t’u konsideruar i plotë dhe që qeveria ishte angazhuar në BE se do t’i plotësonte deri në maj të vitit 2018, ende sot, janar 2020 nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret. Nga ana tjetër është sfida e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë pas regjistrimit të dështuar të vitit 2011. Ende ligji i kritikuar nga të gjithë organizmat ndërkombëtar mbetet problematik dhe i paamenduar sipas kërkesave të Këshillit të Europës. Nga ana tjetër në realitetin tonë të përditshëm pronat e pjesëtarëve të minoritetit etnik grek, kryesisht në zonën bregdetare të Jonit por edhe në zona të tjera janë objekt abuzimesh të vendimeve qeveritare dhe personalisht të zotit Rama. Nga ana tjetër probleme kronike që kanë të bëjnë me vendosjen e tabelave dygjuhëshe ose me ruajtjen e trashëgimisë së pjesëtarëve të komunitetit etnik grek janë po aq problematike, në mos edhe më tepër. Ajo që është më negative është se përgjegjësit e akteve vandale shpesh herë ndaj tabelave dygjuhëshe apo monumenteve siç ishte ai i Thimio Lolit janë ende të paidentifikuara dhe këtu duhet shtuar se edhe pse në shkelje të të gjitha afateve kohore ende nuk kemi një informacion zyrtar për vrasjen e Kostandino Kacifas tetorin e vitit 2018. Pra, siç e shikoni gama e problemeve të minoritetit etnik grek në Shqipëri është shumë larg së qeni një realitet europian. Këto problematika jo vetëm që nuk trajtohen sistematikisht nga qeveria por atyre iu shtohen dhe problematika të reja”, deklaroi Dule.

Kostandino Vllasi, përfaqësues i qeverisë greke u bëri thirrje minoritarëve të marrin pjesë në censusin e 2020. Ai theksoi se transparenca e Qeverisë shqiptare gjatë censusit do të dëshmojë nëse të drejtat e minoritetit grek respektohen.

“Transparenca prej qeverisë shqiptare gjatë censusit të 2020 do të dëshmojë nëse të drejtat e minoritetit respektohen, ndërsa pjesëmarrja e minoritetit në proces do të garantojë se ne si komunitet nuk bëjmë gabimet e së shkuarës duke kontribuar në reduktimin e numrit të minoritetit grek në Shqipëri. Nëse minoritarët nuk marrin pjesë në census, do të bëjnë të njëjtat gabime të së kaluarës ”, është shprehur Kostandino Vllasi.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb