300 kapela të  kaltra fluturuan në ajrin e Amfiteatrit të Liqenit Artificial nga studentët që përmbyllën ciklin e studimeve bachelor, në të pesë fakultetet e Universitetit Europian të Tiranës. Kjo ceremoni diplomimi ishte jo vetëm e mbushur me emocione , por edhe me një garanci më shumë për të rinjtë që presin t’u bashkohen tregut të punës apo të vijojnë rrugëtimin akademik në një cikël tjetër.

Një vit më parë, UET u bë i pari universitet në Shqipëri, që arriti akreditimin ndërkombëtar nga Agjencia Britanike e Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë.

E pranishme në ceremoninë e diplomimit, me ftesë nga senati akademik i UET, Shefja Ekzekutive e Agjencisë Britanike e Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë Vicki Stott foli rreth rëndësisë që ka vlerësimi institucional mbi cilësinë, i cili bazohet mbi standardet dhe udhëzimet e zonës europiane të arsimit të lartë.

“Akreditimi ndërkombëtarë jepet pas një procesi rigoroz që përfshin të gjithë universitetin: akademikët, ekipin drejtues, punonjësit dhe sigurisht studentët”

Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj duke falënderuar agjencinë britanike për Sigurimin e Cilësisë dhe rekomandimet e tyre për të vënë studentin në qendër për mësimdhënien shtoi se në dekadën e tij të dytë, UET rritet përditë në prestigjin akademik e shkencor, në përballje me universitetet partnere në botë.

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, zoti Selami Xhepa tha se shqyrtimi rigoroz dhe vlerësimi institucional nga agjencia britanike është tregues se UET vijon të ruajë traditën  e një institucioni me reputacion të mirë në tregun e arsimit të lartë në vend.

E ftuar në ceremoni ishte edhe ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi, e cila vlerësoi idetë novatore të themeluesve të UET, gati dy dekada më parë dhe po ashtu punën e vazhdueshme të senatit akademik që e bën atë një universitet të suksesshëm në treg.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: