I ftuar në Podcastin e Aleksandër Çipës “Çështja është”, diplomati Jorgji Kote ka folur me shifra konkrete për dëmet e shkaktuara nga agresioni i Rusisë. Përveç Ukrainës, dëme të mëdha përllogarisin edhe shtetet e tjera, ku vetëm Gjermania numëron humbje me vlerë mbi 200 miliardë euro.

“Agresioni i paprovokuar rus ndaj Ukrainës ka krijuar një kompleks problemesh, sfidash për të ardhmen, duke filluar nga siguria por edhe nga ekonomia. Keni parasysh që deri tani dëmet e shkaktuara ndaj Ukrainës llogariten të paktën 500 miliardë euro, në rast të rindërtimit të Ukrainës. Vetëm Gjermania ka humbje në dy vitet e agresionit mbi 200 miliardë euro dhe kjo listë vazhdon e gjatë.

Natyrisht ky ndikim është edhe në vendet e Ballkanit perëndimor dhe ju e dini problemi kryesor ishte pas ftesës së BE-së për të çelur negociatat me Ukrainën, me Gjeorgjinë, lindin ato dyshimet e para që mos po na lënë prapa ne vendeve të Ballkanit. Ky ishte një rrezik, por që mendoj u akomodua shumë mirë edhe nga BE edhe nga vendet tona, edhe nga Shqipëria, duke shprehur nga njëra ane solidaritetin me Ukrainën dhe zgjerimin e Europës drejt saj, por pa lënë pas dore vendet e Ballkanit. Pra të dyja të ecin paralelisht dhe mua më duket që po ecën në këtë drejtim pa shqetësime”- deklaroi diplomati Kote.

Sipas diplomatit Kote, nëse më parë Europa ecte përpara me një politikë të butë ndaj Presidentit Putin, tashmë po diskuton si të mbrohet nga Rusia.

“Kini parasysh që deri më tani ka qenë ajo parulla “Te kemi siguri në Europë me Rusinë” , tani ndodh komplet e kundërta, tani po diskutohet ne Europë si te mbrohemi nga Rusia, si te forcojmë mbrojtjen, deri tek mobilizimi ushtarak i njerëzve.”- u shpreh Kote ne Podcastin “Çështja është”.

Lidhur me pengesat që po has Shqipëria për shkak të mosmarrëveshjeve me Greqinë, diplomati Jorgji Kote tha se është koha që diplomacia të luajë të gjithë gurët pa zhurmë që të detyrojë Greqinë të heqë dorë nga vetoja.

“Problem për integrimin është problem me Greqinë. Diplomacia jonë të luajë të gjithë gurët, të manovrojë më diplomacinë e kulaçit e kërbaçit, të gjenden format pa zhurmë, pa denoncime në mënyrë që si të thuash ta mposhtim Greqinë që të heqë dorë sa më parë nga vetoja”- u shpreh diplomati Kote.

Jorgji Kote ka publikuar së fundi librin e tij “Negociatat, sfida e fundit e integrimit” që adreson procesin më të vështirë që përjeton Shqipëria institucionale në harkun kohor të 3 dekadave të fundit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb