TIRANE- Çështja e CEZ është rikthyer sërish në foltoren e Kuvendit, ku ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri tha se hetimi ndërkombëtar do ta varroste këtë çështje.

Ai nuk nguroi të akuzonte qeverinë e kaluar, ish-kryeministrin Berisha dhe njerëz afër tij që e çuan situatën me CEZ në këtë pikë, ndërsa tha se vendimi i qeverisë Rama, për të mos shkuar në arbitrazh, por për marrëveshje me çekët ishte i duhuri.

“DIA-n e përfshitë ju kur përzutë CEZ-in, u zhdukën provat nga mbledhja e debive. Kontrata e DIA-s u bë me dokumente të falsifikuara”,- tha Gjiknuri.

Sipas tij, Prokuroria duhet të hetojë lidhjen që ka Berisha me DIA-n. “Marrëveshja me CEZ ishte hapi i vetëm për të dalë nga gremina ku e gjetëm sistemin energjetik sapo erdhëm në pushtet. 200 mln dollarë investime u garantuan vetëm për shkak të saj”,- vijoi më tej Gjiknuri.

FJALA E PLOTE E MINISTRIT GJIKNURI NE KUVEND

Gjatë seancës së fundit, ky parlament u provokua në një debat të panevojshëm, të nxitur nga instikte primitive politike ‘alla haxhi qamileske’ të tipit ‘dum babën”. Një debat për gjoja hetim penal ndërkombëtar për të ashtëquajturën ‘aferën CEZ’.

E them me plot gojë, një iniciativë komike që në gjënezë e deri në përfundimin e votimit të saj, ndërkohë që institucionet e këtij vendi janë duke ushtruar fuknksionet e tyre të hetimit.

Për shkak të një vizite jashtë vendit, isha në pamundësi objektive për tju drejtuar javën e kaluar kësaj salle gjatë debatit të zhvilluar, diçka që në fakt e kam bërë gjërësisht sa herë është hapur ky debat banal për të ashtëquajturën aferë korruptive me marrëveshjen e zgjidhjes miqësore të konfliktit me CEZ . Më lejoni të sqaroj edhe njëherë se çfarë përfaqëson kjo marrëveshje, por mbi të gjitha çfarë ka ndodhur me sektorin energjitik që çoi në këtë konflikt me investitorët çek.

Konsiderata e parë që më vjen ndërmend me hapjen e këtij debati është shterpërsia e ideve politike dhe nevoja për diversion.

Asgjë e re nuk ka ndodhur që nga maratona e konferencave të shtypit të PD që filluan në datën 31 Korrik 2014, plot 7 javë pas bërjes publike të marrëveshjes dhe që u mbyllen si me sustë bashkë me përfundimin e pushimeve të Gushtit 2014.

Të njëjtat deklarata u bënë dhe atëherë, u fol për falje apo ndarje shumash që varionin nga 600 deri 2 miliard dollarrë në varësi të folësit të radhës, për të përfunduar tek 500 milion dollar sëfundi nga kryetari legal i opozitës. Paçka se ky i fundit u kundërshtua në të njëjtën ditë nga kryetari de fakto në këtë sallë, i cili doli me një shumë të re, 800 milion euro.

Kakofonia e milionave si të ishin pjesë e ndonjë ankandi në Republikën e Vaimarit, flet vet për seriozitetin e kauzës, por kjo nuk është hera e parë që ndodh.

Ashtu si edhe deklaratat për hetim nderkombëtar, komision hetimor apo dërgim të çështjes në Gjykatë Kushtetuese, hetim penal ndaj negociatorëve, nuk janë të reja, por të stërdëgjuara në Gushtin e nxehtë të vitit 2014.

Me pak fjalë, asgjë e re nuk ka ndodhur përveç një dëshire për të rikapur këtë temë, me qëllimin e pastër të një diversoni politik. Një diversion që del si rrugëdalje për opozitën, në mungesë totale të kauzave të vërteta opozitare apo dhe një dëshire për të mohuar reformat themelore që po ndodhin në sistemin energjitik gjatë këtyre dy viteve qeverisëse.

Mjafton të kujtojmë gërmadhën që trashguam në sistemin e energjitik, të pompuar me neologjizmin berishian mini-superfuqi, ku vjedhja dhe mospagimi i arrinin deri në 65% të energjise së hedhur në sistem. Borxhi i trashëguar në këtë zinxhir i kalonte vlerat e 1.2 miliard dollarëve ose 7 % e GDP.

Kjo gërmadhë erdhi si rezultat i harakirit me sistemin energjitik, që nga privatizimi i pamenduar dhe korruptiv, për të vazhduar me “orgjinë” e partneritetit publik-privat me CEZ. Më tej, shkëputjen e dhunshme pas konsumimit të kësaj marrëdhënie korruptive dhe pasojat e pariparueshme që latë. E mbani mend mirë se si e përdorët politikisht kompaninë pas përzënies me dhunë të CEZ-it, duke e thelluar gropën financiare të saj edhe me 270 milion dollar të tjera. Lat hapur një konflikt që rrezikonte të fundoste çdo qeveri pasardhëse, nëse nuk do të ndërhynte me veprime energjike dhe të guximshme në këtë sektor.

Po si filloi çështja CEZ? Nisi me një privatizim në vitin 2009 që hapi siparin e dështimit në sektor. Privatizim për arsye korruptive dhe politike, me qëllim të dorëzimit të aplikimit për statusin kandidat, përkundër deklarimeve të figurave qëndrore të politikës europiane, që nuk e inkurajonin Berishën për një hap të tillë.

Në seancën e fundit, Berisha i mohoi këto kërkesa të asaj kohe duke thënë se zyrtarët evropianë nuk ja kishin kërkuar të mos e dorëzonte aplikimin. Në fakt, deklaratat e zyrtarëve evropian thonë të kundërtën:

25 MARS 2009
Olli Rehn
Komisioneri Evropian për Zgjerimin

“Aplikoni kur të jeni me të vërtetë gati dhe mos e bëni vetëm për një veprim politik. Ja pse përshembull për Shqipërinë këshilla ime është: ju lutem mos e konsideroni para zgjedhjeve parlamentare pasi ky proces do të jetë një test kritik i stabilitetit tuaj demokratik”.

4 MARS 2009
Doris Pack
Eurodeputete

“Nuk është momenti për të kërkuar statusin kandidat. Është më shumë frustruese që të kërkosh diçka dhe të mos marrësh përgjigje në kohë, sesa të presësh dhe të vazhdosh të punosh drejt Bashkimit Evropian. Si nje mike e Shqipërisë unë mund t’ju them, ju lutem prisni. Dhe mos e përdorni këtë për ndonjë manovër politike pasi kjo gjë nuk ju ndihmon”.

Po cila qe fatura e kësaj manovre politike, pse jo financiare madje korruptive:

Le të ndjekim ecurinë e procesit të privatizimit të OSSH 2008-2009 ku deklarata rregullatore ndryshoi 4 herë brenda një viti. Në fund, pas hapjes së ofertës dhe negocimit me CEZ-in, u ndryshua në favor të tyre duke krijuar premisat a asaj që pritej të ndodhte dhe që ndodhi, dështimi i privatizimit në kurriz të shqiptarëve. Ja ku janë katër deklaratat rregullatore. Deklarata e parë 6.08.2008, deklarata e dytë 14.08.2008, deklarata e tretë 9.09.2008 dhe deklarata e katërt 3.03.2009.

Pra, 4 vendime të ERE brenda një viti, ku borxhi i keq nga 0% shkoi në 14% për të ratifikuar propozimin e CEZ, në kundërshtim me parimet e barazisë në garë dhe rregullava të konkurimit.

Dëmi financiar në kurriz të financave të vendit, me favorizimet në deklaratën rregullatore për periudhën 2009-2012, llogaritet në 25 miliard lekë.

Më tej, janë vendimi Nr. 97 i ERE Dhjetor 2010 dhe vendimi Nr. 87 Qershor 2012 për shitjen e energjisë nga KESH tek CEZ. Që të dyja sëbashku i kanë shkaktuar një dëm KESH-it me një vlerë mbi 90 milion euro.

Vendimi i ERE lidhet me një akt thellësisht të dyshuar si korruptiv, denoncuar sëfundi edhe nga ish eksponentë të qeverisjes së Partisë Demokratike, të cilët në emisione televizive, për herë të parë po pohojnë se Bujar Nepravishtën e shkarkuan për shkak të dyshimeve në lidhje me këtë vendimmarrje. Atëherë si shpjegohet që Berisha e ka ditur këtë gjë dhe nuk ka marrë asnjë masë?!

Edhe akuza kryesore për korrupsion në rolin e DIA lidhet me influencën e një vendimi të marrë nga ERE, e cila dihej botërisht se kontrollohej me dorë të hekurt nga Berisha.

Disa gojë të liga thonë se vet Berisha e kishte instruktuar ERE për këtë vendim, por pasi i kishte dalë era e pazarit inskenoi dorëheqjen e Nepravishtës duke i lënë faturën këtij të fundit. Atëherë, më e pakta është se Berisha ka patur dijeni për çka ka ndodhur por nuk e ka hetuar ndonjëherë këtë gjë.

Të vazhdojmë me vendimet Nr. 80 dhe Nr. 87 të Qershorit 2012, të marra nga ERE për borxhin e keq dhe uljen çmimit të energjisë së shitjes nga KESH dhe CEZ në 2.2 lek. Ky vendim ka ardhur si rezultat i një negociate të fshehtë dhe i pa mbështetur në asnjë normë juridike në nivel qeveritar. Më pas është ratifikuar nga ERE, duke nxjerrë në pah farsën për pavarësinë e këtij institucioni në këtë çështje, si dhe duke konfirmuar se është e njëjta zyrë që komandonte të gjithë mekanizmat dhe vendimarrjen për aferën CEZ. E kam fjalën për zyrën e Kryeministrit të asaj kohe.

Ja çka konfirmon letra zyrtare e dërguar nga CEZ a.s Pragë për këshilltaren e zotit Berisha, Znj. Guxholli më 17 maj 2012.

Në të përshkruhen qartë negociatat e zhvilluara për zgjidhje miqësore mes palëve në datën 7 Maj 2012. Pra, gati 2 muaj përpara se ERE të merrte vendimin, vendim i cili kordinohej nga zyra e Kryeministrit dhe ku është marrë edhe vendimi për njohjen e borxhit të keq tashmë në 16.85 %. Një borxh i cili potencialisht mund të shkonte në 20,71 %, si rezultat i mekanizmit të ‘neting off’ ose më mirë të themi vetgjyqësisë financiare, ku institucionet publike nuk paguanin CEZ ky i fundit nuk do të paguante KESH.

Kjo vendimmarje e koordinuar në majën e piramidës shtetërore demonstron qartë autorët e vërtetë të aferës CEZ, të cilët edhe në këtë rast, mundohen të fshihen pas vendimeve të ERE, të cilat i kishin diktuar vet.

Për të mos folur më pas për përzënien e dhunshme dhe përdorimin e policisë së shtetit në mënyrë të jashtëligjshme në asetet e një kompanie tregtare. Këtë e konfirmuan vendimet e prokurorive të rretheve për pushimet e të gjitha çështjeve penale ndaj punonjësve të CEZ, një armë e fortë kjo ligjore në favor të palës çeke.

Ndërkohë, veprimet dhe mosveprimet e qeverisë përgjatë periudhës 2010-2012, që kanë shërbyer si objekt konflikti me palën CEZ, kanë patur në fokus pazaret dhe prishjet e tyre sipas orekseve, duke degjeneruar në një konflikt të hapur me pasoja të rënda për sektorin energjitik.

Sa herë lëshohej llokma në favor të pushtetit, siç qe rasti i kompanive të mbledhjes së borxheve, shikohet tolerancë dhe kompromis me CEZ në kurriz të interesit publik. E kundërta ndodhte kur pazaret prisheshin dhe furia qeveritare, tatimore, policore, përmbarimore, versulej ndaj kompanisë, si shenjë ndëshkimi për mosndarjen siç duhej të plaçkës financiare.

Nga komunikimet e shumta, të cilat na janë vënë në dispozicion nga CEZ a.s pas lidhjes së marrëveshjes së mirëkuptimit, vihet re marrëdhënia herë rozë, here xhalo mes qeverise dhe CEZ.

Të tilla janë ato që kërkonin favore për përfshirjen e një numri kompanish pranë pushtetit për kontrata me CEZ, e deri tek favore për mos ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara të Shqipërisë për tregti dhe favore të pastra politike, në këmbim të favoreve financiare gjithmone në kurriz të interesit publik.

Lista qeveritare është e larmishme, që nga këshilltare kryministri, ministra dhe në mënyrë permanente drejtuesi i ERE, i cili ishte zëdhënës i orekseve politike e financiare të qeverisë mbi CEZ.

Deri sa arriti në ditën që kjo mardhënie doli jashtë kontrollit dhe qeveria mori vendim për përzënien e dhunshme të kompanisë nga Shqipëria, pa menduar për pasojat që lanë pas.

E kemi dëgjuar shpesh herë në këtë sallë Sali Berishën kur thotë se përzënia e tyre është bërë me bekimin e Bankës Botërore, por kjo është një gënjeshtër e madhe. Nuk ka asnjë rekomandim dhe asnjë shkresë që të rekomandojë një masë të tillë ekstreme dhe të argumentuar ligjërisht.

Aq e nxituar ishte kjo masë, sa Administratori i përkohshëm i CEZ Shpërndarjes, i cili sipas parashikimeve të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, kishte kompetenca të kufizuara që shtriheshin vetëm në mbikqyrjen dhe operimin e pajisjeve sipas licencës, filloi të sillej si pronar i saj.

Në fakt, ajo që ndodhi ishte sjellja si pronar mbi shoqërinë e shpërdarjes, pa kryer një proces shpronësimi të rregullt siç e kërkon ligji.

Administrimi politik i CEZ nga administratori i përkohshëm solli një gropë të mëtejshme financiare prej 270 milion dollarë të tjera për kompaninë. Madje, duke ndërmarrë fushatë investimesh e duke likujduar kreditorët sipas preferencave të tij politike në kundërshtim me çdo orientim të konsulentit ligjor.

Shëmbulli më tipik është shlyrja e detyrimeve për të gjitha kompanitë e mbledhjes së borxheve të lidhura me pushtetin. Gjithsej 113 milion lekë të paguara menjëherë, në muajin e parë të punës, duke demostruar qartë qëllimin e vërtetë të marrjes në zotërim të aseteve duke mbyllur llogaritë e pushtetarëve e duke nëpërkëmbur interesat e publikut. Ja ku janë dokumentet që tregojnë se për çfarë shkoi administratori i përkohshëm. Janë ato kompani që tanimë dihen mirë e për të cilat ka folur gjatë dhe kolegu im Braçe.

Është folur në këtë sallë shpesh nga opozita, për gjoja fitimin e çështjes në arbitrazh, apo paditë që ka bërë ish qeverisja në dobi të kësaj çështjeje. E vërteta qëndron krejt ndryshe, si në shumë deklarime të tjera të opozitës.

Qeveria Berisha nuk depozitoi asnjë padi në arbitrazh, madje nuk bëri asgjë për të mbrojtur interesat e Shqipërisë ashtu siç pretendon.

CEZ a.s., duke konsideruar të padrejta vendimet e Entit Rregullator të Energjisë, sidomos vendimin e heqjes së licencave dhe kalimin në administrimin e përkohshëm të shoqërisë paditi e para Republikën e Shqipërisë më 15 maj 2013 në Gjykatën e Arbitrazhit UNCITRAL bazuar në Traktatin e Kartës së Energjisë ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Ndërkohë, nga ana e autoriteteve shqiptare nuk u ndërmor asnjë nga veprimet e sugjeruara nga konsulenti ligjore Derains& Gharavi. Mosveprimi në kohë nga ana e institucioneve shqiptare në lidhje me këtë konflikt, si në aspektin e vlerësimit të aseteve të Shoqërisë CEZ Shpërndarje ShA, ashtu dhe në fillimin e procedurave të shpronësimit së këtyre aksioneve kundrejt një shpërblimi të drejtë, dobësoi seriozisht pozitën e Shtetit Shqiptar dhe dëmtoi të drejtat dhe interesat ekonomike në këtë proces Arbitrazhi.

Nga ana e Studios Avokatore Derains & Gharavi, të kontraktuar nga METE për përfaqësimin e Shtetit Shqiptar në procesin e arbitrazhit ndërkombëtar të iniciuar nga Shoqëria CEZ, u kërkua një angazhim dhe veprim i shpejtë, (i) për të caktuar një ekspert ose shoqëri ekonomiko-financiare për përcaktimin e aseteve të të Licensuarit. Avokatët kërkuan (ii) për të caktuar një ekspert ose shoqëri për vlerësimin teknik të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike të Shqipërisë, që do t’i shërbente objektivit të paraqitjes së menjëhershme të padisë nga Shteti Shqiptar në kuadër të Marrëveshjes së Shitjes së Aksioneve.

Siç kuptohet, vlerësimi teknik dhe financiar i gjendjes së rrjetit të Shoqërisë CEZ Shpërndarje Sha, ishte themelor i) për të evidentuar e pasqyruar situatën në të cilën ndodhej Shoqëria CEZ Shpërndarje.

Megjithëse me Vendimin nr. 137, datë 20.02.2013, Këshilli i Ministrave kishte vendosur alokimin e fondeve për angazhimin e një eksperti ekonomik dhe një eksperti teknik për vlerësimin e aseteve të CEZ Shpërndarje, vetëm më 25.11.2013 u bë e mundur marrja e ekspertëve.

Po ashtu, gjatë periudhës pas heqjes së licencës dhe administrimit të përkohshëm të CEZ Shpërndarje sh.a, nuk ishte realizuar mbledhja dhe evidentimi i dokumenteve, nuk ishin realizuar konferencat telefonike për të mundësuar përcaktimin e të dhënave dhe materialeve të nevojshme për t’iu kundërvënë pretendimeve dhe për të provuar mospërmbushjet nga Shoqëria CEZ.

Po kështu, të papërshtatshme kanë qenë disa veprime të organeve shtetërore ndaj Shoqërisë CEZ, ku kanë munguar konsultat dhe autorizimet e nevojshme, të cilat në tërësi kanë dëmtuar pretendimet e Shtetit Shqiptar në lidhje me dëmet që i janë shkaktuar, si dhe rëndonin pozitën e Shtetit në procesin e arbitrazhit.

Përveç sa më sipër, me letrën e datës 30 shtator 2013, konsulenti ligjor Derains & Gharavi shprehet se të drejtat dhe interesat e Republikës së Shqipërisë po vendosen në rrezik. Ai shprehet se dokumentacioni i pretendimeve të Shqipërisë nuk ishte i plotë dhe si e tillë ka sjellë pamundësinë e shqyrtimit të këtyre pretendimeve.

Po ashtu, nga ana e Derains & Gharavi ngrihet shqetësimi se mungesa e konsulentëve teknikë dhe ekonomikë shikohen si një nga problematikat më të mëdha, për shkak se i jepet mundësia tashmë shoqërisë CEZ që të devijojë fajin në drejtim të administratorit të përkohshëm të emëruar nga ana e ERE, që prej momentit të heqjes së licencave në datë 21 janar 2013.

Gjithashtu, konsulenti shprehet se gjatë gjithë periudhës nga ana e organeve shtetërore janë marrë hapa për të cilat nuk është vënë në dijeni, sidomos përsa i përket pagesave që Ministria e Financave po bën kundrejt shoqërisë CEZ Shpërndarje Sh.A, duke vështirësuar pozitën e Shqipërisë në ndonjë proces të mundshëm arbitrazhi.

Nga ana tjetër, ngrihet si shqetësim edhe fakti se nuk është akorduar asnjë lloj buxheti për vazhdimin e arbitrazhit, dhe si e tillë të gjitha këto veprime dhe mosveprime kanë ndaluar zbatimin e masave të dakordësuara, si dhe dërgimin e një njoftimi në arbitrazh.

Një mangësi e theksuar për shkak të mosveprimeve në kohën e duhur nga ana e qeverisë shqiptare, dhe që potencialisht favorizonte palën çeke, kishte të bënte edhe me mospërmbushjen e detyrimit të palës shqiptare, të përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave për marrjen e masave për vlerësimin e aseteve dhe realizimin e procesit të shpronësimit. Për rreth 1 vit, shoqëria qëndroi me status të papërcaktuar juridik, ku pronësia e aksioneve i përkiste palës çeke, ndërkohë që administrimi realizohej nga pala shqiptare.

Këshilli i Ministrave, pas heqjes se licencave nga ana e ERE, në bazë të Nenit 18, të Ligjit 9072, duhet të kishte proceduar menjëherë me vlerësimin e aseteve të kësaj Shoqërie. Kjo nëpërmjet kontraktimit të një shoqërie ose eksperti të pavarur financiar, me qëllim që më pas të kalohej në shpronësimin e aseteve të Licensuarit, duke i paguar këtij të fundit vlerën përkatëse që do të rezultonte si pasojë e shpronësimit.

Këto veprime nuk u kryen nga Këshilli i Ministrave pas heqjes së licencave Shoqërisë CEZ Shpërndarje (Janar 2013 e në vazhdim). Mosmarrja e këtyre masave cënonte drejtpërdrejt pozitën e Republikës së Shqipërisë në procesin e arbitrazhit, fakt që konfirmohet edhe nga letra e avokatit të kontraktuar nga pala shqiptare për përfaqësimin e kësaj çështje në arbritrazh, e datës 30 Shtator 2013 dhe ajo e datës 20 Maj 2014.

Dhe në fund avokati konkludon se në këto kushte pretendimet e palës shqiptare bëhen të vështira për tu vërtetuar në një arbitrazh ndërkombëtar ashtu si dhe rrëzimi i pretendime të palës çeke nuk mund të garantohet më.
Po ku kishte mendjen qeveria Berisha, kur një kërcënim i tillë ligjor e financiar po i trokiste në derë ?? Tek plaçkitja përpara se të linte pushtetin dhe harxhimi i parave për interesa elektorale.

Shembulli tipik është kontraktimi i kompanisë Patton Boggs për shërbime që tashmë ishin kryer nga ERE.

Duke qenë se fondet e alokuara me V.K.M nuk munden të disbursoheshin nga Buxheti i Shtetit, nga ana e ERE u vijuar me nënshkrimin e kontratës me datë 12.02.2013 me shoqërinë “Patton Boggs”, për shërbim konsulence ndaj Entit Rregullator të Energjisë në marrëdhëniet ligjore me shoqërinë CEZ Shpërndarje. Ja ku e keni kontratën e firmosur.

Çmimi i kontratës shkonte 320 mijë euro. Nga ana e Patton Boggs u konsideruan të kryera shërbimet e mëposhtme:
• Asistencë lidhur me hapat e nevojshëm ligjorë dhe administrative;
• Asistencë për ERE në implementimin e nenit 18 të ligjit të energjise elektrike;
• Asistencë në proceset gjyqësore të ngritura nga ana e CEZ SH;
• Asistencë ERE-s për çështjet e ngritura nga CEZ SH për emrin tregtar;
• Asistencë ERE-s në shqyrtimin e kërkesave të shoqërive të sektorit;
• Ndihmë në miratimin e rregullores së administrimit të përkohshëm;
• Memo për vendimarrjen e ERE në njohjen e humbjeve të shoqërisë CEZ SH.

Nga shërbimet e mësipërme konstatohet që një pjesë e asistencës në vendimarrjen e ERE daton para datës së nënshkrimit të kontratës së shërbimit ndërmjet Patton Boggs dhe ERE. Do të thotë dokumeta që ishin përgatitur nga ERE por që tashmë po i faturoheshin shtetit sikur të ishin bërë nga Patton Boggs. Ndërkohë, pjesa tjetër e objektit të shërbimit mbulohej nga zyra avokatore e Gahravit.

Është e qartë se përse këto para për shërbime janë përdorur për lobistët e Berishës përpara zgjedhjeve të vitit 2013.

Ndërkohë, asnjë çështje penale nuk u fillua ndaj ish drejtuesve të CEZ apo kompanive të lidhura me to, pavarësisht deklarimeve të gënjeshtra që bën shpesh herë Berisha në këtë sallë, për kallëzime penale që nuk ekzistojnë.

Në kohën që qeveria zhvilloi negociatat për një zgjidhje miqësore me palën çeke, asnjë çështje penale nuk kishte filluar nga prokuroria shqiptare dhe kjo është konfirmuar me shkrim në Qershor 2014. Ja ku është shkresa që liston çështjet e procedurara, kryesisht kallëzime për punonjës të thjeshtë për abuzime e mbifaturim. Asgjë nga ajo që deklaron PD nuk qëndron e vërtetë.

Ndërkohë, ankesat e studios ligjore ndaj Ministrisë së Ekonomisë, për mos komunikim dhe mos bashkëpunim për një periudhë të gjatë gati 6 mujore në lidhje me çështjen, kanë një shpjegim kuptimplotë. Mjafton të shikoni se çfarë kanë bërë vetëm javën e fundit të Shtatorit 2013, ministri në detyrë Mima, në ministri plot 42 koncesione nga të cilat, 20 kontrata vetem ne shtator kur qeveria e re ishte dekretuar. Ja ku e keni listën e vendimeve të marra në atë kohë.

Gjithashtu, kallëzimi penal i bërë nga Avokatura e Shtetit sa për të larë gojën në 30 Korrik 2013, një muaj para largimit të qeverisë dhe fillimit të pushimeve të Gushtit, i ngjante më shumë një fletërrufeje në ikje e sipër, se sa një kallëzimi penal të shoqëruar me prova. Prandaj nuk u mor seriozisht nga prokuroria shqiptare duke mos bërë asnjë veprim.

Të gjitha këto veprime dhe mosveprime të kryera nga ish qeverisja, nxjerrin në pah një fakt të pakontestueshëm, që asnjë masë nuk u mor për të mbrojtur interesat e shtetit shqiptar. Ndërkohë, vendimarrjet e pakonsultuara dhe me interesa korruptive krijuan një humnerë të rrezikshme për qeverinë e re dhe financat publike, duke u bërë kërcënimi më i madh për stabilitetin e qeverisë së re.

Kaosi juridik e bente këtë problem edhe më madhor pasi një sërë veprimesh dhe mosveprimesh duhet të ndodhnin në një kohë të caktuar dhe nuk mund të zhbëheshin më nga qeveria e re.

Në këto kushte, me rekomandimin e institucioneve ndërkombëtare që asistojnë qeverinë shqiptare, u pa e domosdoshme çelja e negociatave për gjetjen e një zgjidhjeje miqësore kompromisi me investitorët çek.

Grupi i punës ngritur me VKM për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes R.SH dhe CEZ a.s kishte në përbërje: përfaqësues nga Avokatura e Shtetit, Ministria e Energjise dhe Industrise, Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Kryeministria si dhe nga Shoqëritë përkatëse që kontrollohen nga shteti, KESH sh.a dhe OST sh.a.. Gjatë negociatave, Grupi i punës u konsultua gjithashtu me Bankën Botërore dhe USAID.

Të gjitha negociatat janë zhvilluar për një periudhë 6 mujore në zyrat e Sekretariatit te Komunitetit të Energjisë në Vjenë, në praninë e zëvendësdrejtorit Z. Dirk Buschle, i cili u përfshi në procesin e negociatave në rolin e ndërmjetësit. Midis Pales Shqiptare dhe asaj Çeke, u nënshkruan katër Memorandume Mirëkuptimi, me anë të cilave u garantua pezullimi i procesit të arbitrazhit deri në momentin e zgjidhjes përfundimtare të mosmarrëveshjes.
Nga ana e ndërmjetësit, janë mbajtur dhe janë administruar minutat e takimit dhe në përfundim të procesit, është dërguar një përmbledhëse e konkluzioneve të negociatave, i cila ka shërbyer si minuta takimi dhe është pranuar si e tillë nga palët.

Në këtë përmbledhëse pasqyrohen takimet e zhvilluara, përfundimet kryesore të çdo takimi dhe rezultatin përfundimtar që përfaqësonte edhe zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje.

Ky format negocimi ndryshon dukshëm nga negociatat e qeverisë Berisha, që nuk dihet se në cilin hotel të Vjenës janë bërë, dhe ku asnjë shënim apo rekomandim nuk u la për qeverinë e re, duke i lënë vend spekulimeve të ish Kryministrit për gjoja oferta që nuk i paska pranuar. Ku është kjo ofertë? Ku janë minutat e takimit?

Po çfarë përmbante marrëveshja e arritur? Aksionet e shoqërisë dhe asetet e saj me një vlerë 200 milion USD të OSHEE, (e njohur më parë si CEZ Shpërndarje), sipas marrëveshjes i kalojnë në pronësi shtetit shqiptar, pa asnjë pagese apo detyrim financiar.

Pala shqiptare pranon të kompesojë palën çeke për një vlerë prej 87.1 milion euro, duke përfshirë edhe interesat, shuma totale arrin në 95 milion euro e shtrire kjo në disa vite deri në 2018. Kjo shumë përfaqëson huatë e arkëtueshme nga disa institucione financiare dhe disa të ardhura të arkëtueshme.

Përse kjo ishte e nevojshme dhe një emergjencë? Sepse sektori i shpërndarjes kishte nevojë emergjente për investime kapitale, në mënyrë që të operonte dhe të reduktonte humbjet që kishin arritur në nivele katastrofike prej 46 %.

Mos pasja e një pronësie të qartë e bënte të pamundur sigurimin e financimeve të nevojshme për të mbajtur në këmbë sektorin dhe për të zvogëluar ekspozimin e mëtejshëm të Buxhetit të Shtetit ndaj sektorit, i cili kishte arritur nivele të papranueshme.

Zgjatja e konfliktit në arbitrazh në një periudhë nga 5 deri në 10 vjet do të pengonte çdo lloj reforme dhe financimi, gjë që do të thoshte kapitullim absolut dhe kolaps i gjithë sistemit energjitik shqiptar, një recetë e sigurtë për destabilitet.

Akuzat e PD për falje të 600 milion dollarëve janë një absurditet politik që çimentojnë trashësinë e atyre që i thonë. Na akuzojnë për falje të faturave të KESH dhe OST dhe që i paskemi ndarë me CEZ?? Po pyetja shtrohet, po pse mo këto para shkuan në Pragë??

Në fakt detyrimi total i kontabilizuar dhe i çertifikuar nga auditi BDO vlerëson detyrimin në total ndaj KESH dhe OST në një vlerë prej 29 Miliard lek pa penalitet. Ndërkohë, po ti zbresësh rreth 10 mliard lek detyrime që i kishin institucionet shtetërore CEZ-it duke aplikuar formulën e vetëgjyqësisë alla Bode si rezultat i marrëveshjes së vitit 2012, vlera totale e mbetur pa kamatë vonesë është 19 miliard lekë ose rreth 120 milion euro. Ja ku e keni raportin!

Ndërkohë, vlera e kreditimit apo të ardhurave të arkëtueshme të CEZ shkonte afërsisht në 120 miliarde lek me gjithë kamatë ose rreth 70 miliard lekë pa kamatë.

Pra, me logjikën e PD nëse CEZ a.s do të merrte përsipër detyrimin prej 19 miliardë lekësh, ne duhet të hiqnim dorë nga të drejtat prej 120 miliardë lekësh? A keni parë ndonjë marrëveshje finaciare që kompania merret vetëm me të drejta dhe jo me detyrime??

Pra, absurdi politik ka errësuar çdo lloj logjike ekonomike dhe juridike, prandaj dhe shifrat e pazarit që paskemi bërë ne me CEZ variojnë sipas qejfit të folësit të radhës, nga miliona në miliarda, duke menduar se kakofonia e shifrave do të turbullojë mendjet e njerëzve të thjeshte, duke harruar katrahurën financiare që krijuan këta nga afera me CEZ në sektorin energjitik.

Dhe meqe kanë hallin e borxheve të falura, vetëm si rezultat i disiplinimit të pagesave dhe reformës në energji, janë rekuperuar 28 miliard lekë pra 9 miliard lekë më shumë se shuma e detyrimeve që PD pretendon se gjoja ja paskemi falur ne CEZ-it. Borxhet ndaj KESH dhe OST janë aty si çdo e drejtë tjetër e arkëtueshme e asaj kompanie.

Janë hedhur akuza këtu se përse u përfshi çështja DIA në marrëveshje. Në fakt, DIA e përfshitë ju që në momentin që përzutë dhunshëm çekët duke marrë përsipër të gjitha pasojat e këtij divorci të dhunshëm.

Në 28.01.2013, CEZ Shpërndarje është njoftuar nga ana e Qendrës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Vjenë, për padinë dt 23.01.2013, që kishte ngritur kundër saj Shoqëria ”Debt International Advisory”, pas datës së heqjes së licensës dhe marrjes së kompanisë në administrim të përkohshëm.

Në bazë të objektit të kërkesë-padisë, “DIA” sh.p.k pretendon shpërblim dëmi, detyrim bazë plus penaliete, si rezultat i zgjidhjes së kontratës në mënyrë të njëanshme, në vlerën prej rreth 130 milion Euro.

CEZ Shpërndarje kërkoi orientimin e ERE lidhur me përfaqësimin e kësaj çështjeje, për shkak se nga ana e tribunalit kërkohej kryerja e disa veprimeve proceduriale, si dorezimi i parashtrimeve dhe propozimi i numrit të arbitrave. ERE deklaroi se ky është një rrisk i juaji dhe duhet të merrni masa për të mbrojtur çështjen duke marrë kompani ligjore. Në përfundim të procesit u nënshkrua kontrata e përfaqësimit me Clifford Chance, Gjermani.

Duke qenë se procesi i negocimit, i nënshkrimit dhe miratimit të Marrëveshjeve të Mbledhjes së debive, ishte zhvilluar nga ana e menaxherëve çek, qoftë nëpërmjet shkresave zyrtare apo komunikimeve elektronike, CEZ Shpërndarje u gjend përpara një mungese totale informacioni dhe dokumetacioni, në mënyrë që të kundërshtonte apo të rrëzonte pretendimet dhe provat e palës paditëse.

Kjo situatë e krijuar, në të cilën nuk disponohej informacion, u shfrytëzua më së miri nga ana e palës paditëse, në mënyrë që të përzgjidhte për të paraqitur si provë në arbitrazh vetëm ato komunikime që i interesonin dhe që forconin pozitën e saj.

Në këto kushte, nëpërmjet dhjetra shkresave, CEZ Shpërndarje i ka kërkuar CEZ a.s dhe Shared Services Albania që të vinte në dispozicion provat përkatëse, të cilat dispononte si dhe çdo lloj komunikimi elektronik. Qëndrimi i tyre natyrisht ishte negativ dhe mohues pasi deklaronin se ishin përzënë dhunshëm.

Në kushtet e një mungese informacioni dhe dokumentacioni lidhur me këto kontrata, pozita e Shoqërisë “CEZ Shpërndarje” në arbitrazh paraqitej shumë e vështirë. Avokatët e Clifford Chance deklaruan se mungesa e asistencës nga CEZ a.s, nëpërmjet punonjësve të saj, e dokumetacionit dhe e korrespondencës që dispononin, cënonin seriozisht pozitën e CEZ Shpërndarje në procesin e Arbitrazhit dhe potencialisht çështja mund të humbej nga CEZ Shpërndarje sh.a.

Një element tjetër mjaft thelbësor, që dëmtonte pozitën e CEZ Shpërndarje dhe që mund të sillte pavlefshmërinë e të gjitha veprimeve proceduriale të kryera kishte të bëntë edhe me pretendimin e DIA për pavlefshmërinë e autorizimit të përfaqësimit, lëshuar nga CEZ Shpërndarje ndaj Clifford Chance. Ky pretendim bazohej në faktin se autorizimi i përfaqësimit ishte lëshuar nga Administratori i përkohshëm i CEZ Shpërndarje, i cili sipas parashikimeve të të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, kishte kompetenca të kufizuara që shtriheshin vetëm në mbikqyrjen dhe operimin e pajisjeve sipas licencës dhe jo kompetenca për të lëshuar autorizime të tilla përfaqësimi.

Tribunali i Vjenes, në urdhërin procedurial Nr.30 Korrik 2014 vendosi detyrimin e CEZ Shpërndarje që të paraqiste një autorizim përfaqësimi nga përfaqësuesit ligjor të shoqërisë. Në të kundërt, do të merrte masa që të deklaronte pavlefshmërinë e të gjitha veprimeve proceduriale të kryera nga CEZ Shpërndarje ose do të vendoste detyrimin e CEZ Shpërndarje që të vendoste garanci bankare në vlerën e plotë të padisë me qëllim që të mbuloheshin të metat e autorizimit të përfaqësimit. Ja ku e keni urdhërin e arbitrazhit.

Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Zgjidhjes me mirëkuptim të konfliktit mes CEZ a.s dhe qeverisë shqiptare, konkretisht më datë 10 korrik 2014, CEZ a.s vendosi në dispozicion të përfaqësuesve tanë ligjorë tërësinë e dokumetacionit që dispononte lidhur me këtë çështje dhe njëkohësisht u siguruan edhe dëshmitë e ish menaxherëve çekë, materiale që forcuan ndjeshëm pozitën e Shoqërisë CEZ Shpërndarje përpara Tribunalit.
Gjithashtu, menjëherë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Zgjidhjes me mirëkuptim, u bë e mundur qartësimi i statusit juridik të shoqërisë, duke u reflektuar në ekstrakt përfaqësuesi ligjor i shoqërisë dhe duke u fshirë përfaqësuesit çek.

Ishin pikërisht këto prova e dëshmi të ish menaxherëve çekë dhe veprimet e kryera për qartësimin e statusit juridik të shoqërisë, që ndyshuan katërcipërisht pozicionin e CEZ Shpërndarje sh.a, të cilat provonin se pala paditëse kishte mashtruar në të dhënat e paraqitura lidhur me eksperiencën e saj, të dhëna të cilat pas sollën edhe nënshkrimin e marrëveshjeve të shërbimit të mbledhjes së debive.

Në rast se nuk do të ishte nënshkruar Marrëveshja e Zgjidhjes me Mirëkuptim, provat që implikonin DIA Dega Shqipëri nuk do të ishin vendosur në dispozicion, shoqëria do të dështonte që të përmbushte kërkesat e Tribunalit, vendimi do të ishte ekzekutuar në dëm të Shoqërisë CEZ Shpërndarje e cila tërhiqte të drejtat dhe detyrimet si palë nënshkruese e kontratës.

Me pak fjalë, në mungesë të një marrëveshjeje, ne do të kishim dhe një dëm financiar imediat duke i hapur rrugë çdo lloj padie edhe nga çakejtë e tjerë të borxheve që prisnin ma padurim dështimin e Shqipërisë. Por ajo që është më e keqja, që arsyetimi i urdhërit procedural nr. 30 i tribunalit në Vjene, për mos pasjen e fuqisë juridike të administratorit të shoqërisë, do të nxirrte nul çdo veprim të tij. Kjo do shërbente si një provë e fortë dhe precedent për CEZ a.s ndaj çdo lloj padie të shtetit shqiptar, si dhe një përmbushje e pretendimit për shpronësim të jashtëligjshëm të CEZ a.s nga shteti shqiptar.

Prandaj, zgjidhja e mosmarrëveshjes me mirëkupim, jo vetëm krijoi mundësinë e marrjes së provave për këtë çështje por hapi rrugë përfundimtare për zbulimin e zullumit dhe falsifikimit të kësaj kontrate, procedimit penal të mastermind Ismailaj dhe mbylljes së një marrëveshjeje pa asnjë shpërblim nga drejtuesit ligjor të shoqërisë nga ishujt virgin. Marrëveshje e Dhjetorit 2014 mes DIA dhe OSHEE, ku përfaqësuesja ligjore e DIA, shtetasja amerikane Znj. Gaskin heq dorë nga çdo pretendim në lidhje me këtë çështje edhe në të ardhmen. Pranoi zgjidhjen e mosmarrëveshjes me kosto 0 ndaj OSHEE.

Kuptohet, ka disa njerëz përfshirë edhe atë zotërinë që është në burg i cili mundohet me letra të falsifikuara ta vënë në dyshim këtë çështje. Madje janë bashkuar një pjesë edhe këtu, që kanë dëshirë që mundësisht ti paguajë Shqipëria ato para, mjafton që trilli i tyre politik të plotësohet, apo të fërkojnë barkun se qeveria mund të marrë ndonjë goditje. Unë bëj thirrje, mos u bëni pjesë e këtyre lojërave politike skandaloze, financiare e mafioze që dëmtojnë interesat e këtij vendi.

Nga ana tjetër, kjo çështje hodhi dritë dhe mbi aferën korruptive të implikimit të ERE dhe qeverisë Berisha në vendimmarrjen e vitit 2011 për çmimin e energjisë, që paratë e dhëna ndikuan për marrjen e këtij vendimi në kurriz të interesit publik.

Opozita nxitoi të spekulonte menjëherë se prapa kësaj çështjeje qëndronte Kryetari i Kuvendit.

Së pari, është e konfirmuar jo vetëm me shkrim por edhe nga hulumtimet e mëvonshme se nuk ka asnjë përmendje dhe asnjë implikim të Kryetarit të Kuvendit në këtë çështje.

Së dyti, nëse paratë që synonin një vendimmarrje të caktuar ishin destinuar për ERE, le të analizojmë qëndrimin e aktorëve të përfshirë në proces.

ERE nëpërmjet kryetarit të saj kontrollohej direkt nga Berisha. Ai dhe të tjerë pranë tij e konfirmuan se ata shkarkuan Nepravishtën për këtë punë.

Ndërkohë, aktori i vetëm nëpërmjet të cilës mund të lexojmë sjelljen e Ilir Metës është KESH dhe drejtuesi i këtij institucioni. Drejtuesi i KESH në të gjitha vendimarrjet e ka kundërshtuar këtë vendim në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Konkluzioni është i qartë. Njerezit e kontrolluar nga Berisha kanë gisht në këtë çështje dhe prokuroria duhet të hetojë edhe për këtë akt korruptiv. Ajo që mbetet për tu parë është se sa implikim ka Berisha në këtë vendimarrje. Nëse nuk ka direkt, minimalisht ka dijeni për krimin e kryer dhe kjo përbën vepër penale. Prandaj, prokuroria duhet të hetojë edhe për këtë fakt dhe çfarë lidhjesh ka DIA me ish-Kryeministrin Berisha dhe dijeninë e tij në lidhje me këtë çështje.

Është spekuluar pa fund ditët e fundit për gjoja imunitet penal që i paska dhënë marrëveshja e pajtimit palës çeke.
Baza ligjore e inicimit të zgjidhjes së mosmarrëveshjes ka karakter ngushtësisht civil, çështjet që trajtohen dhe zgjidhen në të janë vetëm të karakterit civil. Së dyti, referuar Nenit 3 të Marrëveshjes së Zgjidhjes me Mirëkuptim përcaktohet shprehimisht që Pala Shqiptare përfaqësohet nga ministritë, zyrat, autoritetet lokale ose kombëtare të çdo lloji ose qëllimi që janë të kontrolluara nga Qeveria e Shqipërisë.

Në këtë kuptim, garancia e dhënë për mosadresimin e pretendimeve të caktuara për ndonjë fakt apo rrethanë që do të zbulohet në të ardhmen ka të bëjë vetëm me çështjet e karakterit civil dhe është një detyrim ngushtësisht i palëve shqiptare të cilat në rastin konkret përfaqësohen vetëm nga ato që kontrollohen nga Qeveria e Shqiperisë ku nuk përfshihet organi i Prokurorisë.

Në bazë të nenit 148 e në vijim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Prokuroria është organi që ushtron ndjekjen penale dhe është një organ i pavarur nga Qeveria. Në këtë kuptim, detyrimet e Prokurorisë, e cila nuk përfshihet si palë në Marrëveshjen e Zgjidhjes me Mirëkuptim, ushtrohen konform Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale. Kjo nënkupton që dispozitat e kësaj marrëveshjeje nuk cënojnë të drejtat dhe detyrimet e Prokurorisë, si organ i pavarur, në raport me ushtrimin e ndjekjes penale kundrejt çdo subjekti të cilit i atribuohet kryerja e veprës penale.

Në asnjë nen të Marrëveshjes për Zgjidhjen me Mirëkuptim, nuk jepet asnjë garanci për mosfillimin e procedimeve penale dhe për më tepër falje apo heqje dorë nga asnjë e drejtë e shtetit shqiptar për kryerjen e hetimeve për veprat penale që mund të rezultojnë se janë kryer nga ndonjë prej anëtarëve të Grupit CEZ.

Lidhur me këtë argument, për të garantuar një mbrojtje sa më të mirë të interesave të Shtetit Shqiptar në këtë proces, Pala Shqiptare është asistuar gjatë dhe me shumë profesionalizëm nga Studio Avokatore franceze Derains&Gharavi, të cilat kanë qenë të kontraktuar dhe kanë ndjekur këtë çështje. Ja ku i keni dokumentet, kontratat dhe pagesat për avokatët.

Së fundi, nëse do të kishte ndonjë pengese për hetim ajo duhej të ngrihej konkretisht nga organi akuzës dhe jo nga ndonjë parti politike, e cila edhe para një viti ka përsëritur të njëjtin refren, madje edhe tek Presidenti i Republikes Bujar Nishani, i cili edhe pasi angazhoi ushtrinë e juristëve të PD nuk konstatoi asnjë parregullsi juridike, duke bërë vetëm shërbimim politik të heshtjes mbi këtë marrëveshje.
E vetmja gjë anti-kushtetuese këtu është kërkesa juaj për një hetim ndërkombëtar, e cila ka dozat e saj sa komike aq edhe të djallëzuara. Ana komike e çështjes i ka rrënjet në kompleksin historik shqiptar për evropin që me kujtojnë shkrimet e një burri të mençur shqiptar Ekrem bej Vlora i cili e përshkruante kështu një episod ilustrues të këtij metaliteti që ju shfaqni sot. Ja çfarë shkruan ai:

“Në Bolenë (fshat në luginën e Shushicës), dy fise ranë në grindje dhe i vunë pushkën njëri-tjetrit. Puna ndodhi kështu: një bari i ri u gjend i rrethuar nga 10 burra të fisit kundërshtar, të cilët kishin ardhur për t’i grabitur dhentë e vathës. Por ai u mbrojt kaq mirë e trimërisht, sa vrau dy nga sulmuesit, plagosi disa të tjerë dhe e shpëtoi kështu, pa asnjë dëm tufën. Pleqësia e fshatit, duke dashur të ruante qetësinë dhe paqen në këto kohë të vështira, erdhi tek Ismail beu dhe iu lut që të caktonte disa gjyqtarë për të pajtuar palët. Ndërkohë që Ismail beu përmendte disa emra, pleqtë e ndërprisnin herëpashere me pyetjen: ‘Bej, ka dëgjuar Evropa për trimërinë e bariut tonë? Çfarë thoë ajo për këtë?’. Ismail beu njeri i mençur dhe me shumë humor, përpiqej t’i qetësonte, duke iu përgjigjur buzagaz: ‘Doemos që Evropa ka dëgjuar për këtë histori dhe atje lëvdojnë trimërinë e këtij djali dhe të të gjithë lebërve në përgjithësi!’. Mirëpo këtu, befas përfaqësuesit e palës kundërshtare e ndjenë veten të zhvlerësuar. ‘Jo-thanë ata, – nuk do të ketë asnjë pajtim, derisa edhe ndonjëri nga ne të bëjë diçka të madhe për të cilën të flasë Evropa!”.

Ndërkohë, djallëzia fshihet në formulin e dispozitave që vënë në rrezik çdo hetim të nisur, duke luajtur me afatet procedurale të hetimit, praktikisht duke e varrosur përfundimisht hetimin.

E gjithë kjo tollovi politike e një furtune në një gotë bosh ka pasur vetëm dy objektiva: diversionin politik dhe përpjekjen për diskreditim të reformës energjitike.

Marreveshja për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit me CEZ ishte hapi i duhur dhe shpëtues për daljen nga gremina ku e gjetëm vetëm kur erdhëm në pushtet.

Marrëveshja u inkurajua dhe u përshëndet nga të gjithë partnerët ndërkombëtar duke e konsideruar si heqjen e pengeses kryesore për financime dhe reforma në energjitikë.

Deri më tani janë garantuar mbi 200 milion dollar investime ndërsa pritet dhe një tjetër paketë investimesh prej 100 milion USD vetëm për shpërndarjen. Brenda vitit 2018 parashikohet të investohen mbi 420 milion dollar për sektorin energjitik në tërësi.

Gjatë administrimit të kompanisë në kohen e partisë demokratike niveli i arkëtimeve vjetore nuk i kaloi 38 miliard lekët. Gjatë vitit 2014, kompania tanimë e rikthyer në pronësinë shtetërore mundi të arkëtonte 49,2 miliard lekë. Ndërkaq, vetëm për 9-mujorin e parë të vitit 2015 janë arkëtuar 50.5 miliard lekë.

Gjatë vitit 2014 dhe 2015 rezulton të jenë mbledhur 27.9 miliard lekë detyrime të lindura përpara 31 Dhjetorit të vitit 2014.

Prej Dhjetorit 2014 deri në Shtator 2015, OSHEE ka lidhur mbi 340 mijë aktmarrëveshje me konsumatorët debitorë. 192 mijë abonentë kanë përfituar nga oferta për zbritjen me 80% të kamatëvonesës në këmbim të likujdimit të plotë të borxhit. Në këtë linjë, rezulton se janë 40 milionë dollar të zbritura nga detyrimet e këtyre abonentëve.

Gjatë qeverisje se PD, niveli i humbjeve ka ecur në trajektore rritëse duke kaluar edhe 46%. Në sajë të operacionit për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike dhe reformave të ndërmarra , niveli vjetor i humbjeve për vitin 2014 u bë e mundur të ulet në shifrën 37.8%. Gjatë 8-mujorit të vitit 2015 niveli progresiv i humbjeve është në masën 31% ndërsa për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 39-40%.

Rritja e likujditetit në sektor ka bërë të mundur që të shlyhen plotësisht borxhet e akumuluara ndaj hidrocentraleve private, mbi 6 miliard lekë ndërsa po paguhen rregullisht faturat korente të vitit 2015.

Gjatë vitit 2015, kompanitë energjitike nuk kanë patur nevojë për garancinë e Buxhetit të Shtetit ndërsa kanë nisur të kontribuojnë me detyrimet e tyre ndaj tatimeve.

Vetëm në 8-mujorin e parë të vitit 2015 janë paguar në Buxhet prej OSHEE-së 4.5 miliard lekë, ose katër herë më shumë se në vitin 2013.

Të vetdijshëm për katastrofën ku e çuat ju sektorin energjitik në vitet e qeverisjes suaj, ne morëm vendime të guximshme të cilat sot bëhen edhe pre e spekulimeve politike. Jemi krenar për atë që kemi arritur. U hapëm rrugën investimeve, mbyllëm një konflikt që rrezikonte të na mbante peng financiat e kësaj qeverie dhe të krijonte destabilitet. Mbyllëm edhe gjitha ato probleme të tjera për të cilat fola këtu, përfshirë DIA-n. U bëj thirrje të mbështesni organin e prokurorisë, mbështesni institucionet në punën e tyre për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Faleminderit,

(d.b/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: