Stuhia “Ciaran” e cila prej disa ditësh ka goditur Europën, të premten përfshiu edhe vendin tonë. Si pasojë e shiu të dendur dhe erës së fortë, ka pasur disa problematika në qytete të ndryshme të vendit, por për fat të mirë pa lëndime në njerëz.

Kështu, një ditë më parë, në Tiranë pati bllokime të përkohshme të rrugës për shkak të ngritjes së nivelit të Lanës në nivelin e rrugës, kryesisht në zonën e “Pallatit me Shigjeta”. Por, sot situata është nën kontroll dhe pa probleme.

Sakaq, probleme aktualisht ka në disa qarqe të vendit.

Dibër

Gazetari Enver Doçi bën me dije për BalkanWeb se si pasojë e reshjeve, në qarkun e Dibrës, vijon të ketë probleme në kalimin e Rrugës së Arbrit. Ai tha se niveli i asfaltit është ulur, ndërsa raportohet për një banesë të dëmtuar nga reshjet.

Po ashtu probleme kanë njësitë e thella, si Lura, Kalaja e Dodës, etj.,  ku ka pasur rrëshqitje gurësh. Era e fortë ka shembur pemët dhe si pasojë janë dëmtuar shtyllat duke u ndërprerë energjia elektrike në disa zona.

Në fshatin “Fshat”, ka pasur çarje të asfalti, ndërsa shtabi i emergjencave  është në gatishmëri të plotë.

Gjirokastër

Gazetarja Brikena Metaj bën me dije se edhe ditën e sotme kanë vijuar reshjet në qarkun e Gjirokastrës. Problematika kryesisht ka pasur në Përmet, ku u bllokuan 23 turistë në Kanionin e Langaricës, por u evakuuan disa orë më pas pa lëndime.

Korçë

Gazetarja Lorena Kodra bën me dije se moti i keq ka përfshirë edhe qarkun e Korçës, por deri tani nuk janë shkaktuar përmbytje. Ka pasur vërshime të ujit, por nuk janë shkaktuar problematika.

Aktualisht situata është nën kontroll, ndërsa gjatë mbrëmjes nga era e fortë në Pedonale, është shkëputur një pjesë suvaje, dhe ka rënë mbi tendën e një lokali. Si pasojë ka mbetur i plagosur lehtë një person në shpatull.

Kukës

Në qarkun e Kukësit ka pasur rrëshqitje dherash, në akset nacionale. Akset problematike mbeten Kukës-Shishtavec, Kukës- Peshkopi, Bajram Curri- Qafë Mali dhe Qafë Mali- Kukës

Sakaq, qarqet e tjera deri më tani paraqiten në normalitet.

BalkanWeb

Lezhë

Në territorin e qarkut Lezhë, situata aktualisht paraqitet e qetë, pa problematika. Reshjet e shiut kanë vazhduar me intensitet të ulët, herë-herë me intensitet deri mesatar afat shkurtër, deri në orën 08:00, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Gjadër ka pasur 44 mm shi të shoqëruar me erë me intensitet deri mesatar

Nga strukturat e MC të bashkisë Kurbin nuk raportohen probleme. Nga strukturat e MC të bashkisë Lezhë nuk raportohen probleme. Nga strukturat e MC të bashkisë Mirditë nuk raportohen probleme. Probleme të furnizimit me ujë të pijshëm nuk raportohet. Probleme të furnizimit me energji elektrike ka në të gjitha zonat rurale, për shkak të erës dhe rrjetit të amortizuar. Grupet e punës të OSHE po punojnë për riparimin e defekteve. Strukturat e MC të bashkive të Qarkut janë në gatishmëri për përballimin e situatave që mund të shfaqen.

Kuotat e lumenjve Drin e Mat janë në nivele minimale.

Elbasan

Gjate orëve të natës ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar të cilat deri në mëngjesin e sotëm kanë arritur në 50mm. Situata në qark paraqitet pa shumë problematika. Akset rrugore Elbasan-Q.Thanë, Gramsh-Moglicë, Elbasan-Gjinar, Librazhd-Stërblevë kanë pasur rënie inertesh e gurësh. Disa akse rurale të bashkisë Librazhd dhe te bashkisë Gramsh e Cërrik kanë pasur inerte dhe depërtim të ujerave në rrugë. Prurjet e lumenjve e përrenjve janë në nivel mesatar. Kemi pasur ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në një pjesë të qytetit të Peqinit, rrethinat e Cërrikut, në Labinot Mal, Funarë, bashkia Elbasan, Njësia administrative Shalës e Mollas bashkia Cërrik, Nj.A Orenjë e Stëblevë, bashkia Librazhd dhe Nj.A Porocan bashkia Gramsh. Është duke u punuar për riparimin e defekteve.

Shkodër

Gjatë të gjithë ditës së djeshme, orëve të mbrëmjes deri në orët e para të mëngjesit kanë vijuar reshjet e dendura të shiut të shoqëruara me shtrëngata dhe dalje te përrenjve nga shtrati i tyre të cilët krijuan probleme në territorin e Qarkut Shkodër.

Ne bashkinë Shkodër, fshati Theth, fshati Nderlysaj si pasojë e daljes nga shtrati të përroit u bllokua segmenti Theth- Nderlysaj, ndërsa në fshatin Buzhale të Bashkisë Pukë, si pasojë e rrëshqitjes së dherave u dëmtua kabina e këtij fshati duke ndërprerë energjinë elektrike në disa rrugë nacionale, ku ka pasur rënie inertesh.

Gjate ditës sotme sipas raportimeve nga bashkitë, situata është si më poshtë:

Autoriteti Verior nuk raporton probleme në akset rrugore që mbulon DRV Shkodër. Gjatë natës si rezultat i reshjeve të shiut ka pasur rënie të inerteve dhe gurëve nga skarpatet por pa shkaktuar probleme në qarkullim. Kontraktorët janë në gatishmëri me mjete e fuqi punëtore.

Në Bashkinë Shkodër të tre segmentet e bllokuara nga shembjet e dheut në rrugën e Thethit u zhbllokuan. Raportohen për ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra të njësive Shkrel e Kelmend.

Nuk raportohet për bllokim të rrugëve nacionale apo rurale.

Në bashinë Pukë vazhdon të këtë reshje të dendura shiu, fshati Buzhalë ka ndërprerje të energjisë si pasojë e dëmtimit të kabinës elektrike, ndërprerje të energjisë kanë dhe Njësitë Administrative Rrape dhe Gjegjan.

Në Bashkinë Vau Dejës, njësia Administrative Bushat nuk ka probleme të EC por ka shkëputje të energjisë elektrike herë pas here në fshatin Bushat dhe Barbullush, Njësia administrative Hajmel nuk ka probleme, Njësia Vig Mnele ka rënie gurësh në fshatin Mnele e Madhe, ndërsa në Njësitë Administrative Temal dhe Shllak nuk ka energji elektrike në të gjitha fshatrat e njësive.

Fier

Në territorin e qarkut Fier gjatë natës ka pasur reshje shiu me intesitet mesatar deri në të lartë i shoqëruar dhe me erë të fortë.
Nga strukturat e MC pranë 6 bashkive si dhe D.V.Policisë Fier kemi këto informacione
⁃ Rrugët nacionale dhe rurale janë të aksesueshme normalisht.
⁃Nuk raportohen problematika lidhur me furnizimin me ujë.
⁃Nuk raportohen njësi ekonomike të dëmtuara sera , stalla, apo bagëti.
⁃Nuk raportohen sipërfaqe të përmbytura.
⁃Raportohen mungesa energjie vetëm në bashkinë Fier si rezultat i nxjerrjes jashtë pune të fiderave si më poshtë:
Fideri i Mbrostarit
Fideri i Daullasit
Fideri i CO2
Fideri 20
Fideri tek Pularia

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb