TIRANE – Manchester City ka fituar me përmbysje, 3-1 ndaj Barcelona, duke marrë hak ndaj katalanasve që kishin fituar 4-0 në ndeshjen e parë në “Camp Nou”. Skuadra e Pep Guardiola nuk u dorëzua as kur e pa veten në disavantazh, pas golit të “të zakonshmit” Lioniel Messi, por reagoi dhe arriti një sukses shumë të rëndësishëm për moralin, në saj të golave të shënuar nga Ilkay Gundogan (2 gola) dhe De Bruyne. City është bërë skuadra e parë ang;eze që i shënon 3 gola Barcelona-s që nga sezoni 1998/99 (Man United) shkruan telesport.
Barcelona shënoi e para në “Etihad Stadium” gjatë një kundërsulmi perfekt me dyshen Lionel Messi-Neymar. Argjentinasi shënoi, duke përfituar nga një vendosje e keqe e mbrojtjes, pas asistit numër 6 të brazilianit në këtë edicionin të Champions League. Ky ishte goli i shtatë për Messi në këtë edicion të Champions League ku ka luajtur vetëm tre ndeshje.


Barcelona dominoi për minuta me radhë pas shënimit të golit, por nuk arriti të gjejë golin e dytë dhe para se të mbyllej pjesa e parë Gundogan gjeti golin e barazimit për Manchester City, pas pasimit të marrë nga Raheem Sterling. Në pjesën e dytë, City e nisi me një marsh tjetër dhe Kevin de Bruyne shënoi me goditje dënimi nga rreth 25 metra, pas faullit të fituar nga David Silva.
Manchester City shfrytëzoi moralin më të lartë dhe momentin e mirë të formës duke rrezikuar disa herë për të gjetur golin e tretë, të cilin e realizoi 15 minuta para fundit, sërish me anë të Ilkay Gundogan, këtë herë pas një aksioni ku ishte protagonist Sergio Aguero. Në këtë mënyrë, trajneri Pep Guardiola fitoi sfidën ndaj ish-skuadrës së tij.
Në ndeshjen tjetër të Grupit C, Borussia Monchengladbach barazoi 1-1 ndaj Celtic dhe praktikisht ky rezultat i nxjerr këto ekipe nga gara. Barcelona mban vendin e parë me 9 pikë, Manchester City ka 7 pikë, ndërsa Borussia është në vendin e tretë me 4 pikë. Celtic ka 2 pikë pas katër ndeshjeve të para dhe praktikisht është i eliminuar.

(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb