TIRANË- Partia Demokratike vijon akuzat nga kryeministrin Edi Rama për rritjen e moshës për check-up-in duke quajtur një tjetër vjedhje. Deputetja demokrate, Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi tha se ‘Edi Rama ka pranuar dje dështimin e check-up, ai ka pranuar publikisht se i ka dhënë Vilmës 5 milionë euro më shumë ne vit se sa nevojiteshin për analizat’. Por pas saj ka reaguar Ministria e Shëndetësisë.

“Ministria e Shendetësisë deklaroi se me të njëjtin fond që i kanë dhënë Vilmës, do të bëhen analizat edhe për 350 mijë qytetarë më shumë, duke rritur fashën e grupmoshës, duke e shtrirë nga 35 deri në 70 vjec. Pa e kuptuar, Rama ka pranuar qe kontrata e firmosur me koncesionarin është abuzive, pasi kanë përcaktuar një dysheme prej 475 mijë qytetarësh për të cilët Vilma paguhet pavarësisht nëse i bëjnë apo jo analizat. Shifra e vendosur në kontratë ( 475 mijë) është abuzimi real. Nuk është e bazuar në studim apo analizë shkencore”, deklaroi Vokshi.

Sipas saj, duke pranuar që në një vit e gjysmë s’janë bërë 475 mijë analiza të check-up, por paratë janë dhënë për aq, Rama ka pranuar vjedhjen e 5 mln euro më shumë në vit mënyrë fiktive tranzit në xhepat e tij.

“Cdo të ndodhë tani me 5 milionë euro që ka marrë Vilma cdo vit, më tepër se sa duheshin për të bërë check-up? Ku kanë shkuar ato para? A do t’i kthehen shqiptarëve, apo tashmë janë ndarë si plackë mes Ramës dhe donatores së tij? Koncesioni i check-up, dështoi që në fillim për shkak të analizave skandaloze dhe humbi besueshmërinë. Burrat rezultuan shtatzënë dhe gratë me prostat…dhe pothuajse të gjithë i përsëritën analizat të privati…”, tha Vokshi

Ajo deklaroi se ‘njerëzit refuzuan këtë aferë të Edi Ramës, refuzuan t’i përgjigjeshin një prej vjedhjeve të tij më të mëdha në këto 3 vite’.

“Vilma merr 15 euro, vetëm për shërbimin taksi, ndërkohë që e gjithë puna bëhet në qendrat tona shëndetësore nga mjekë e specialistë që paguhen me taksat e qytetarëve. Shtimi i fashës së qytetarëve që duhet të bëjnë check-up nuk është mbulim i vjedhjes. Eshtë pranim i saj. Eshtë pranim i faktit se Vilma ka marrë miliona euro, më shumë se sa puna që ka bërë. Cila është pjesa e Edi Ramës në këto miliona euro? Cila është pjesa e kampionit të tij të korrupsionit Ilir Beqaj?”, tha Vokshi.

Deputetët e Partisë Demokratike në Komisionin e Shëndetësisë kanë thirrur në një dëgjesë urgjente Ministrin Beqaj të mërkurën, që të informojë mbi këtë çështje.

“Prokuroria është e thirrur të bëjë detyrën, të hetojë ku shkuan këto shuma. Të bëjë drejtësi e tu kthejë paratë shqiptarëve. Para të vjedhura në emër të shëndetit, kur në spitale ska shtretër, ska ilace, mungojnë gjërat bazike. Ta harrojë Edi Rama dhe Ilir Beqa se do ti gëzojnë këto para, kur qytetarët po rrezikojnë jetën në ferrin e spitaleve tona. Herët a vonë do të ketë drejtësi për këtë krim mbi krimet”, u shpreh Vokshi.

REAGON MSH: ASNJË QINDARKË EKSTRA, QYTETARËT NGA 35-70 VJEÇ TË KRYEJNË CHECK-UP
Pas akuzave të Partisë Demokratike për rritjen e fashës së check-up-it deri në 70 vjeç, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë, e cila thotë se nuk do të shpenxohet asnjë qindarkë ekstra.

Sipas MSH, PD në vend që t’u bëjë thirrje qytetarëve të kryejnë kontrollin falas, hedh baltë dhe akuza.

“Në vend që t’ju bej thirrje qytetarëve për të kryer check-up falas, për të parandaluar dhe shëruar sëmundje, Partia Demokratike prej një viti e gjysmë është armikja më madhe e check-up falas.
Është e pakuptueshme pse PD u bën çdo ditë thirrje qytetarëve për të mos kontrolluar falas shëndetin e tyre. Falas, pa paguar asgjë, qytetarëve u ofrohet mundësia të parandalojnë sëmundje e të jetojnë më gjatë e më shëndetshëm.
Dje PD akuzonte qeverinë se po shpenzonte më shumë. Sot, që kuptoi se nuk do të shpenzohet asnjë qindarkë ekstra, por përkundrazi, për të njëjtin buxhet do të përfitojnë më shumë qytetarë, më shumë kontrolle falas, opozita i është rikthyer avazit të vjetër të propagandës anti check-up.
Ministria e Shëndetësisë i bën thirrje çdo qytetari të moshës 35-70 vjeç, t’i drejtohen qendrave shëndetësore për të përfituar kontrollin shëndetësor FALAS, për të parandaluar sëmundje e për tu kuruar në kohë.
Përtej fjalëve dhe baltës që hidhet çdo ditë, shërbimi i check-up është FALAS për çdo qytetar në moshën 35-70 vjeç. Është një shërbim që funksionon, që parandalon sëmundje dhe ju ndihmon të jetoni me shëndetshëm!”, deklaron MSH.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb