Mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste në Sarandë mbrëmjen e së martës (14 mars) është shoqëruar me tensione dhe debate të ashpra.
Burime për Panorama Tv, raportojnë se debati ka ndodhur mes anëtareve të Asamblesë dhe deputetëve lidhur me kandidaturat e mundshme për kryetar bashkie.

Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, ku u diskutua mbi përgatitjet për zgjedhjet e 14 majit, pjesa dërrmuese e anëtarëve të Asamblesë së PS, mbi 90% e tyre, kanë dalë në mbështetje të kandidaturës së kryetarit aktual të bashkisë, Adrian Gurma duke dalë kundër qëndrimit të të deleguarit Blendi Klosi, i cili mbështeti kandidaturën e Oltion Çaçit.

Mësohet se ata e kanë quajtur “kandidaturë të importuar atë të Oltion Çaçit”, i cili sipas tyre nuk ka asnjë lidhje me Sarandën. Ata janë shprehur se ai “jo vetëm që është nga Tepelena, por nuk ka asnjë lidhje me PS në Sarandë, pasi nuk ka qenë aktiv në degën lokale”. Gjatë mbledhjes, përveç Adrian Gurmës dhe Oltion Çaçit, janë propozuar edhe emrat e Gjergji Mërkurit dhe Dhonat Kotes, si kandidatura të mundshme.

Gjergj Mërkuri është regjistruar para pak ditësh si i pavarur në KZAZ e Sarandës. Kryesia e PS do të marrë në shqyrtim kandidaturat e propozuara dhe pritet të shpallë në datë 25 Mars emrin e kandidatit që do të garojë nga socialistet për Bashkinë e Sarandës në zgjedhjet e 14 majit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: