Gazetari Basir Çollaku, i ftuar në emisionin “Opinion” në News24 me gazetaren Ina Qirjo, komentoi zhvillimet e fundit politike dhe kalimin e raportit IBAR nga COELA, duke theksuar se shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë për situatën e drejtësisë në Shqipëri mbeten të forta.
Sipas Çollakut, edhe pse raporti u miratua, kjo nuk do të thotë se janë zbehur rezervat e Bashkimit Europian dhe të partnerëve ndërkombëtarë lidhur me funksionimin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit në vend.
“Raporti kaloi, por shqetësimet nuk janë hequr. Në çdo takim ku kanë qenë të pranishëm amerikanët dhe europianët, shqetësim kryesor ishte raporti me drejtësinë dhe refuzimi për t’i hapur rrugë SPAK-ut për Ballukun, sepse nuk do të jetë rasti i vetëm, do të ketë edhe të tjerë”, u shpreh ai.
Çollaku tha se një tjetër pikë shqetësimi për partnerët ndërkombëtarë mbetet pastrimi i parave, ndërsa përmendi edhe disa çështje që sipas tij janë ngritur veçanërisht nga pala gjermane.
“Gjermanët që kundërshtonin përmendin AKSHI-n, Ballukun dhe Porto Romanon. Janë tre dosje ku ka korrupsion, spiunazh dhe krim shtetëror”, deklaroi gazetari.
Ai shtoi se partnerët ndërkombëtarë po tregojnë më shumë interes për standardet demokratike dhe sundimin e ligjit në Shqipëri sesa vetë institucionet shqiptare.
“Po shohim që po interesohen partnerët tanë më shumë se ne për veten. U shkojmë me një tufë mëkatesh dhe u themi: na i falni se do bëjmë më pak, do të vjedhim më pak”, tha Çollaku.
Në fund, ai u ndal edhe te çështjet që lidhen me AKSHI dhe dosjen e Belinda Balluku, për të cilat deklaroi se “kanë çudira”, duke shtuar se “aty është shteti lakuriq”.
