Prishtina ka vazhduar serinë e fitoreve në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke mposhtur Gjilanin në udhëtim me rezultat 2:1, në kuadër të xhiros së shtatë.
Skuadra kryeqytetase e nisi mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi në minutën e 29-të, me golin e Arjanit Fazlijës. Gjilani reagoi shpejt, duke barazuar shifrat pesë minuta më vonë përmes Lorik Boshnjakut.
Në pjesën e dytë, Prishtina arriti të rikthejë epërsinë. Anio Poçi shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit nga këndorja në minutën e 66-të për rezultatin 2:1, që doli të ishte edhe përfundimtar.
Prishtina nga minuta e 84-t luajti me një futbollist më pak, pasi Djordje Saletic u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë.
Me këtë fitore, Prishtina regjistroi fitoren e gjashtë në po aq ndeshje të zhvilluara, duke grumbulluar 18 pikë dhe duke kryesuar tabelën e klasifikimit, me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Gjilani, ndërkaq, pësoi humbjen e dytë të sezonit dhe mbetet në pozitën e katërt me 11 pikë, pas tri fitoreve, dy barazimeve dhe dy humbjeve.
