Qeveria portugeze siguroi sot se do të bëjë gjithçka të mundshme në mënyrë që diaspora e saj të mund ta vizitojë vendin gjatë pushimeve verore, me gjithë kufizimet e vendosura për të frenuar pandeminë e koronavirusit.

“Objektivi i qeverisë është që emigrantët të mund të vijnë në Portugali këtë verë për të takuar familjet e tyre dhe, siç kanë bërë gjithmonë, të mbështesin rimëkëmbjen ekonomike”, tha në një deklaratë Sekretariati Shtetëror për Komunitetet Portugeze jashtë vendit.

Kjo është hera e dytë që Lisbona mohon raportimet se ka pengesa në lidhje me vizitat e shtetasve të saj këtë verë, të cilat janë raportuar gjerësisht, veçanërisht brenda komunitetit portugez në Francë.

Portugalia vendosi në mars të mbyllë kufijtë e saj me Spanjën, përsa i përket turistëve dhe kjo masë do të zgjasë deri më 14 maj, megjithatë shtetasit portugezë ende mund të hyjnë në territorin e saj.

Vendi filloi të hënën një plan për rihapjen në faza, që do të zgjasë tërë majin dhe qeveria, e cila planifikon të rivendosë gradualisht lidhjet ajrore, tha sot se hapësira ajrore europiane mbetet e hapur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb