Suedia pritet ta ofrojë dozën përforcuese të vaksinës anti-COVID-19 edhe për grupe të tjera të popullsisë.

“Të gjithë suedezëve të vaksinuar plotësisht, mbi moshën 65 vjeç dhe, gjithashtu, kujdestarëve, gjithsej rreth 1,5 milionë njerëz, do t’u rekomandohet një vaksinë e tretë”, tha ministrja e Shëndetësisë, Lena Hallengren, në një konferencë shtypi.

Deri më tani, doza përforcuese u ofrohej vetëm disa grupeve të rrezikuara, siç janë personat mbi 80 vjeç dhe ata që kanë nevojë për kujdes.

Kjo dozë e tretë e vaksinimit mund të merret gjashtë muaj pas dozës së dytë.

“Përqindjet e larta të vaksinimit janë arsyeja pse njerëzit mund të jetojnë një jetë sa më normale, për momentin, megjithatë, pandemia ende nuk ka përfunduar”, theksoi Hallengren.

Kreu i autoritetit shëndetësor, Johan Carlson, shtoi se radhën, në të ardhmen, do ta kenë edhe grupet e tjera.

Fillimisht të moshuarit, pastaj gradualisht grupmoshat më të reja.

Suedia hoqi shumicën dërrmuese të kufizimeve kundër COVID-19 në vend më pak se një muaj më parë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb