Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka falënderuar sot mjekët, policët dhe ushtarët shqiptarë, për vetëmohimin e tyre për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Përmes një mesazhim Ruçi, duke u ndalur tek ngjarja e djeshme ku 30 mjekë shqiptarë iu bashkuan skuadrës në Bergamo, për të luftuar COVID-19, theksoi se ky ishte një gjest humanizimi shqiptar.

“Rreziku që i kanoset jetës së qytetarëve shqiptarë dhe gjithë njerëzimit nga koronavirusi, na ka bërë më të bashkuar e solidarë me njeri-tjetrin, edhe pse në distancë sociale. Por distanca fizike ka shkurtuar distancën shpirtërore e njerëzore. Shpreh mirënjohjen e thellë të Kuvendit dhe timen personale për mjekët, infermierët dhe personelin që shërbejnë me vetëmohim në vijën e parë të zjarrit dhe shpëtojnë jetët e njerëzve si edhe për punonjësit e policisë dhe pjesëtarët e forcave të armatosura për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. 30 mjekët shqiptarë që nisën dje shërbimin në spitalet italiane u bënë mesagjerë të humanizmit shqiptar, dallëndyshet që lajmërojnë fitoren e jetës. Ata iu bashkuan qindra mjekëve shqiptarë që kontribojnë me përkushtim në mjaft vende të botës, në të pesë kontinentet dhe lartësojnë emrin e Shqipërisë e të shqiptarëve. Kombi nuk do ta harrojë kurrë sakrificën e mjekëve, infermierëve, policëve dhe ushtarëve të tij në këto ditë të jashtëzakonshme për shqiptarët dhe njerëzimin. Deputetët dhe komisionet e Kuvendit, pavarësisht kushteve të imponuara nga COVID-19, vazhdojnë të punojnë online dhe njëkohësisht të kujdesen për qytetarët në nevojë. Të gjithë qytetarët të zbatojmë rregullat e kësaj lufte dhe të kontribojmë në mbrojtjen e jetëve!”, shkruan në mesazhin e tij të mirënjohjes Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb