Futbollisti brazilian Dani Alvesh ndodhet në burg të përkohshëm pa kusht që nga 20 janari teksa po pret që të mbahet gjyqi për akuzën e përdhunimit të dyshuar të një vajze 23-vjeçare prej tij në banjën e klubit të natës “Sutton” në Barcelonë.

Këtë të hënë, programi “The Ana Rosa” zbuloi ekskluzivisht mesazhet e shkëmbyera mes Bruno Brasil, mikut të ngushtë të ish-mbrojtësit të Barcelonës, dhe kushëririt të vajzës së re disa ditë pas ngjarjes së 31 dhjetorit.

Sipas rrëfimit të gazetares Mayka Navarro, ka qenë personi i besuar i futbollistit ai që ka kontaktuar me të renë përmes Instagramit. “Le të bëhemi vëllezër. Shtëpia ime është në… Nuk jam gjithmonë aty, por çfarë të duhet? Këtu jam, në dispozicion”, – ka shkruar ai.

“Më pëlqeu motra jote dhe ti si njerëz. Jam gjithmonë gati të takoj miq të mirë”, – vijoi Bruno Brasil.

Një mesazh që mori shpejt përgjigje nga kushëriri i ankueses, edhe pse shumë më konciz: “Faleminderit, e njëjta gjë edhe për ju. Gëzuar Vitin e Ri!”

Mayka Navarro tregon se kjo bisedë është pjesë e mesazheve të interceptuara nga policia tashmë: “E vërteta është se interpretimi është i ndryshëm nëse bëhet nga avokati mbrojtës i Alvesh apo nga prokuroria. Sipas avokatëve të futbollistit ato mesazhe pasqyrojnë normalitetin dhe sigurojnë që në momentin që u zhvillua ajo bisedë, kushëriri tashmë e dinte se çfarë kishte ndodhur në tualet”.

Nga ana e saj, avokatja e “viktimës” ka një tjetër interpretim të bisedës: “Ajo që bëri miku i futbollistit brazilian ishte kontakti me ta për të krijuar një marrëdhënie dhe për të identifikuar nëse në ndonjë moment kishin ndërmend të bënin ndonjë padi”.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: