Departamenti Amerikan i Shtetit tha më 15 maj se Izraeli dhe Libani janë pajtuar të zgjasin armëpushimin për 45 ditë për të “mundësuar përparim të mëtejshëm”, teksa paralajmëroi bisedime pasuese të ndërmjetësuara nga Shtet e Bashkuara më vonë gjatë këtij muaji dhe në qershor.

“Shpresojmë që këto diskutime të avancojnë paqen e qëndrueshme mes dy vendeve, njohjen e plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit, si dhe vendosjen e sigurisë së mirëfilltë përgjatë kufirit të tyre të përbashkët”, shkroi në X zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott.

DASH-i njoftoi se ka ndërmjetësuar bisedimet më 14 dhe 15 maj mes palëve, duke i përshkruar ato si konstruktive.

Izraeli ka kryer sulme kundër militantëve të Hezbollahut në Liban që nga 2 marsi, dy ditë pas fillimit të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, kur forcat e Hezbollahut hapën zjarr në mbështetje të Teheranit.

Hezbollahu është një grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të jugut të Libanit. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur.

Një armëpushim mes Izraelit dhe Libanit është në fuqi deri më 17 prill, me qëllim që të ulë intensitetin e luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut. Por, ai nuk ka arritur këtë pasi qindra njerëz janë vrarë në sulme që atëherë dhe secila palë e ka akuzuar tjetrën për shkelje të shumta të armëpushimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: