Një histori dashurie jo mes një djali e një vajze që është më se e zakonshme, por mes nipit dhe dajës që në këtë kohë pandemie është edhe më e jashtëzakonshme dhe një shembull i dashurisë pa kushte. Grushti i ngritur në qiell i Paolos dhe krahët e ngritur të Matteos, pranë një shtrati të terapisë sub-intensive, të mbrojtur nga një veshje e gjatë, maskë dhe kapuç, tregojnë njëherazi fuqinë shkatërruese të virusit dhe forcën për ta hequr qafe atë, por edhe dashurinë mes tyre.

Dhe zgjedhja e nipit për të mos lënë vetëm vëllain e nënës së tij Patrizias, me sindromën Down. Lufta kundër armikut të padukshëm për Matteo Merollan, një agjent imobiliar 29 vjeç nga Roma, asimptomatik por pozitiv për koronavirusin, filloi më 3 nëntor kur ai shoqëroi në urgjencë xhaxhain e tij, Paolo Rocchi, 49 vjeç dhe një person me aftësi të kufizuara në Poliklinikën Ushtarake Celio.

“Prej disa ditësh – kujton Matteo – daja im Paolo vuante nga temperatura e lartë, mbi 38 gradë”. Gjendja e tij u përkeqësua shpejt: “Ai po qante, i rraskapitur nga kolla që nuk i pushonte, merrte frymë pak dhe keq, koka i rrotullohej, ishte i dobët fizikisht: virusi tashmë e kishte sulmuar atë”. Aq sa mjekët i konstatuan menjëherë pneumoni të rëndë. Përkeqësuar nga fakti se “kur ai ishte i vogël, një pjesë e madhe e një mushkërie iu hoq”. Edhe pse me simptoma të lehta, Matteo nuk mendoi dy herë për të ndihmuar Paolon dhe për t’u shtruar në spital me të. “Kryemjeku i spitalit pranoi. Dhe ne të dy, për të qëndruar së bashku, ndërruam dhomat disa herë. Unë, një javë pas pranimit, tashmë mund të dilja dhe të përfundoja karantinën time në shtëpi, duke parë seri televizive në Netflix ose duke ngrënë Sushi”.

Por detyra për t’u kujdesur për dajën e tij ishte më e fortë për nipin. “Ai jetonte me maskën e oksigjenit 24 orë në ditë dhe nga këto të paktën 3 ditë i kaloi duke qarë. Paolo nuk e kuptonte pse ishte atje, në atë gjendje”. Për ta mbështetur ishte kujdesi i nipit të tij dhe ekipi i spitalit: “Ai ishte bërë personi më i dashur i pavijonit”

Të dy lanë spitalin të mërkurën që shkoi. Nga ato 15 ditë brenda mureve të një spitali Covid, Matteo kujton “frikën në sytë e Paolos” por edhe “urra-n” e tij pasi hoqi maskën e oksigjenit; zhurmën shurdhuese të makinerive, “ditë e natë”; ankesat e pacientëve të shtruar në spital dhe zërat e mjekëve dhe infermierëve që thoshin “merr frymë, forca, çohu”. Fraza, të përsëritura si një mantra, që Matteo thjesht nuk mund t’i harrojë. “Atje njoha edhe një djalë i cili disa ditë më vonë u zhvendos në terapi intensive. Nuk mësova më shumë për të”.

Edhe pse ishte i lodhur ose i stresuar, Matteo nuk e la vetëm asnjëherë dajën e tij, 24 orë në ditë. “Gjendja e tij – thotë ai – nuk më jepte paqe. E largonte mendjen vetëm kur merrej me merkaton e futbollit, një pasion të madh të tij, ose kur ishte në gjendje të hante”. Dhe në një nga këto pushime Matteo arriti të shiste një shtëpi në distancë: “Puna ime e parë e bërë nga një shtrat spitali”, pranon ai me një buzëqeshje.

Lidhja mes të dyve është e fortë: “Paolo ha në shtëpinë tonë katër herë në javë. Ai e do ushqimin e mirë. Mjekët dhe infermierët e dinin këtë dhe e përkëdhelnin atë me ëmbëlsira dhe Twix. Por ai donte suplinë”. Një kërkesë për të cilën u kujdesën menjëherë pas daljes nga spitali. “Natën kur shkuam në shtëpi, unë dhe mami e lamë t’i gjente. Ai ishte i lumtur. Sot mori në telefon, dëshiron oriz me kërpudha.” Ajo që nipi bëri për dajën e tij, “nuk është asgjë e jashtëzakonshme”. Për Matteon, kur e doni dikë, thjesht duhet të dëgjoni zemrën. “Edhe nëse të çon në një dhomë spitali”.

  • foto galeri
  • foto galeri

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: