Profesor Lufter Xhuveli është rikthyer në auditorët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku ka dhënë leksione për 25 vite me radhë. Ai ka promovuar librin “Dear Professor”, që përmbledh korrespondencën që ka filluar pikërisht nga ky institucion akademik me personalitete të shkencës në mbarë botën.
Botimi sjell 5 dekada, me mbi 400 letërkëmbime, me 156 shkencëtarë nga 32 vende dhe 6 institucione prestigjioze ndërkombëtare, me 85 fotografi dhe 62 rrëfenja. Në promovim u vlerësua karakteri i botimit.
Libri ndërthur aktivitete shkencore ndërkombëtare, forume botërore, takime të rralla dhe biseda të paharrueshme, mes tyre edhe me Nënë Terezën.
Pas shumë dekadash, ai i sjell në një libër të titulluar “Dear Professor”. I konceptuar si një ndërthurje e letrave, rrëfenjave dhe fotografive, dokumenton një rrugëtim intelektual që shtrihet përtej kufijve të Shqipërisë. Përshkruhen dhe përcillen mesazhe me një gjuhë të zgjedhur dhe mjaft interesante. Ky botim sjell aktivitetet shkencore ndërkombëtare, ngjarjet e rëndësishme në forumet botërore, deri në përjetimet e veçanta nga takimet e rralla dhe bisedat e paharrueshme me dy gratë nobeliste më të shquara në botë, shenjtoren Nënë Tereza dhe afrikanen e famshme, prof. Wangari Maathai.
Letërkëmbimi i shumtë, i ruajtur me kujdes, ashtu si ruhen sendet e çmuara, ka rëndësi për historiografinë shqiptare. Dokumentet hedhin dritë mbi ngjarjet që kanë ndikuar në zhvillimin e shkencës shqiptare para dhe pas viteve ’90. Letërkëmbimi dhe dokumentet e librit “Dear Professor”, referimet në konferencat ndërkombëtare, apo lektorimi në një numër universitetesh në Evropë dhe Amerikë, çmimet dhe vlerësimet e larta ndërkombëtare, nuk tregojnë vetëm jetën e autorit; ato janë një pjesë e historisë së zhvillimit të shkencës bujqësore dhe të shkencës shqiptare në tërësi.
Referuesit e vlerësuan librin për karakterin shkencor dhe historik, gjuhën e rrjedhshme, finesën dhe humorin që përshkon disa rrëfime…
Kjo vepër vjen si një kontribut me rëndësi të veçantë dokumentare, shkencore, historike dhe kulturore.
