Zëvendësministri i Financave, Besard Kadia, është përplasur me anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD, Dorian Teliti, në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, në News24, teksa kanë folur për krizën e çmimeve.

Demokrati Teliti ka pyetur zv.ministrin se kur do t’i ndihmojnë shqiptarët në nevojë dhe si, por Kadia nuk ka dhënë një përgjigje të qartë, duke u shprehur se po bëhet një diskutim si në gjimnaz.

Pjesë nga debati:
Kadia: Mori një automatik dhe tha gjithçka çfarë kishte në mend, por nuk është ekonomia kështu. Koncesionet nuk jepen për qejf, janë shërbim publik. Në kohën kur kemi rritje të çmimeve, disa qytetarë e ndjejnë më shumë dhe duhen kompensuar. Çmimi i energjisë mbetet njësoj dhe do të kompensohen edhe me para.
Teliti: Nuk e marrin më njerëzit.
Kadia: O Dorjan, të lutem, se nxjerr 2 mijë lekëshin ti pastaj.
Teliti: A do t’i ndihmoni njerëzit në nevojë? Nëse po, kur dhe me çfarë?
Kadia: Sot nuk marrin gjë, por ti pasiguritë i ke shumë të mëdha në ekonomi. Kanë përgjegjshmëri politikat fiskale dhe si shpenzohen paratë. Sa e ke sot inflacionin në vendet e zhvilluara si Turqia? Mund të ma thuash pak?
Teliti: Ta them unë, sot në Shqipëri…
Kadia: O Dorjan, ma thuaj për Turqinë, apo do thuash sërish shifrat që the më parë?
Teliti: Unë jam përfaqësues i opozitës për shqiptarët. Ju nuk po bëni asgjë. Dallimi mes nesh dhe juve është që ne mund të japim sugjerime. I keni braktisur të tërë shqiptarët.
Kadia: Po mos u eksito kaq shumë more. Këto stile diskutimi si të gjimnazit, boll tani të lutem.
Teliti: A do i ndihmoni shqiptarët?
Kadia: Po.
Teliti: Kur?
Kadia: Ta them pastaj. Financat publike kanë skenarë o Dorjan.
Teliti: Cili është skenari?
Kadia: Çfarë ke mo se s’po të marr vesh. Çfarë të dhemb, lekët e qytetarëve, oligarkët? Çfarë të dhemb, se s’po të kuptoj. Më shih në sy kur flet, mos flit në ajër.
Teliti: Mund të japësh përgjigje si do i ndihmoni shqiptarët, se je zëvendësministër?
Kadia: Siç i kemi ndihmuar. Po boll tani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb