Eksperti i ekonomisë në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti, debatoi në emisionin “Real Story”, në News24, me ministren e Financave, Anila Denaj, lidhur me mënyrën si e ka menaxhuar qeveria krizën e tërmetit dhe pandemisë.

Teliti tha se qeveria premtoi rimbursim të ilaçeve të Covid-it, por që në të vërtetë nga 59 mijë të infektuar, ua rimbursoi vetëm 3 mijë e ca të infektuarve ilaçet. Nga ana e saj, ministrja Denaj theksoi se “aritmetika nuk është formati që na përfaqëson”.

Pjesë nga debati:
Teliti: Qeveria premtoi se do të rimbursojë gjithë ilaçet e Covid. Por cfarë ka ndodhur? Zyrtarisht kanë dalë të infektuar 59 mijë të infektuar, por janë dhjetëra mijëra më tepër, por nga këta kanë marrë rimbursim vetëm 3 mijë e ca të infektuar.
Denaj: Aritmetika nuk është formati që na përfaqëson. E para, ne nuk jemi krenuar për të dhënë një ndihmë për 11 muaj, ne dhamë një ndihmë për muajt e mbylljes prill-maj.
Teliti: Nuk keni përgjigje. Po m’u drejtove, do marrësh përgjigje.
Denaj: Duhet të flisni me respekt. Flasim për të ardhura më shumë, që vijnë nga taksat. Ne e bëmë të qartë, që kur erdhëm në pushtet, që do të taksojmë më shumë, ata që marrin më shumë. Kjo skemë ka dhënë efektivitet. Kemi dhe rindërtimin, dhe familjet do t’i marrin të gjitha premtimet.
Ajo që mund të jetë një shembull i prekshëm është ndihma që ka dhënë Këshilli Evropës, që do të vijë këtë mars. Kur të vijnë huatë, fillojnë procedurat. Në total për 3 vite janë 65 miliardë lekë.

Ne kur vendosëm që do të bënim tatim-fitimin zero, janë 50 milionë dollarë që i mungojnë buxhetit sot, por ne menduam që bizneset nuk do të kenë kontrolle. Tatimi do të paguhet sipas ligjit dhe kur t’i shkojë ai tatimi te dera, biznesi t’i thotë ‘dil jashtë’.
Teliti: Në teori jemi shumë të zotët, në praktikë dështojmë komplet. Realiteti është se kur iu shkon tatimi, iu thotë ‘o do pagush, o gjobë’. Sa para kanë marrë deri më sot firmat e ndërtimit, nga 31 miliardë lekë të buxhetuara? Zero.
Denaj: Ku e lexove, ma thuaj aman.
Teliti: Nëse paratë nuk do të shpenzoheshin në vitin 2020, këta i kanë kaluar automatikisht te llogaria e vitit 2021. Tërmeti ra më 2019 dhe asnjë qindarkë nuk shkoi në llogari të tyre. Në anën tjetër, folëm për ndihmën e dhënë. Shyqyr Zotit që u dha ajo ndihma, por nuk u dha për të gjithë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb