NGA AURORA GOLEMI

TIRANE- Pak ditë pasi kryeministri Rama tha në Beograd se nuk ka asnjë pengesë për njohjen e diplomave të studentëve nga Lugina e Preshevës, Medgjeva e Bujanovci, të diplomuar në Shqipëri, opozita shqiptare vazhdon të shprehë shqetësimin se diçka e tillë nuk po konkretizohet edhe 2 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes nga Rama e Vuçiç. Deputeti demokrat Aldo Bumçi e ngriti këtë shqetësim në Komisionin e Jashtëm parlamentar ku u miratua ngritja e Zyrës Rajonale për bashkëpunim rinor në Tiranë, një nismë e kryeministrave Rama e Vuçiç.

“Kjo është e rëndë dhe e turpshme, pasi ne ua njohim diplomat serbëve. Për çfarë shërben kjo zyre rajonale që do të ngrihet? Ky është spastrim etnik”, tha Bumçi.

Demokratët në Komision akuzuan sërish Qeverinë për rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani. Qëndrime të cilat sipas kryetares së Komisionit të Jashtëm, socialistes Arta Dade, ishin thjesht spekulime. Sipas Dades, institucionet europiane flasin për ulje të numrit të azilkërkuesve.

Sakaq Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi një seance dëgjimore me përfaqësues të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, sa iu përket praktikave konsullore dhe shërbimeve që iu ofrohen nga Shteti Shqiptar në këtë fushë bashkatdhetarëve tanë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb