TIRANE– Në katër vite jetë, çmimi letrar ‘Kadare’ ka provokuar debate mbi letërsinë e mirë, por dhe mënyrën e organizimit të institucioneve që kanë të bëjnë me vlerësimin.

“Mapo Letrare” sjell sot një ballafaqim në lidhje me këtë çështje. Mjaft interesante është pikëpamja e shkrimtares Natasha Lako.

Poetja Natasha Lako kërkon më shumë promocion për çmimet letrare, duke thënë se mungon ajo festa e letërsisë.

“Duhet të ketë më tepër promocion dhe përgatitje që një çmim letrar të kthehet në një festë të vërtetë të letërsisë. Mungojnë emisionet për këto ngjarje…”, thotë ajo.

Sipas saj, gjithnjë do të ketë pakënaqësi për juritë. “Rëndësi ka t’u jepet çmim veprave që mbeten dhe lexuesi që në Shqipëri nuk beson në asgjë, të bindet”, thotë ajo.

Pra çmimi letrar është i lidhur me organizime të hapura dhe sistematike të shkrimtarëve, sepse bibliotekat nuk mungojnë.

“Gjendja me librin do të vijojë të jetë kaotike për sa kohë ka botime me pagesë nga çdokush. Pedagogët e letërsisë në universitet jetojnë në rrethe të mbyllura, aq sa bëhen të dyshimtë. P.sh. ata të Filologjisë më tepër flasin për politikë sesa letërsi. Pra mendoj se ka humbur besueshmëria për çdo çmim, pavarësisht letërsisë së mirë. Lexuesi në ka të tillë, e di se kush do të marrë çmim nga mënyra dhe cikli i përsëritur i atyre që zgjidhen nëpër juri. Sado që po përpiqet Universiteti Europian i Tiranës, nuk ka prestigj çdo çmim, madje edhe pse emri Kadare është i madh. Kjo ndodh për fajin e klimës që është krijuar ndaj veprave dhe autorëve shqiptarë. Duhet që klima letrare të jetë më e pranishme ashtu siç ndodh me atmosferën e futbollit apo volejbollit të sotëm. E them këtë duke ndjekur jetën aktive letrare sot çdo gjë do të vijë duke u zhvleftësuar, sepse njerëzit po mësohen me mungesën e një biblioteke të vërtetë, pasi e dinë që librat mund të qullen dhe të digjen si t’u dojë qejfi”, thotë Lako./mapo/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb