Drejtori i Përgjithshëm i Informacionit dhe Programacionit të News24, Robert Rakipllari, u përplas me analistin Skënder Minxhozi, në emisionin “Real Story”, në News24, teksa në fokus ishin zhvillimet e fundit politike dhe përkatësisht përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta.

Rakipllari tha se Edi Rama është kryeministri që ka pushtetin më të madh dhe obez në Shqipëri, pas Enver Hoxhës.

Ndërkohë, ai vlerësoi rolin e Presidentit Ilir Meta, duke thënë se ai nuk ka bërë asnjë shkelje dhe asnjë akt që të jetë në dëm të interesit kombëtar. Nga ana e tij, analisti Minxhozi deklaroi se Ilir Meta e ka çuar Presidencën në ekstrem komplet.

Debati:
Rakipllari: Të rëndësishme janë aktet dhe retorika, në të mirë apo në të keq të interesit publik. Kemi një kryeministër, që pas Enver Hoxhës, ka pushtetin më të madh në Shqipëri. Sot Edi Rama ka një pushtet obez, që nuk e ka pasur askush në Shqipëri pas vitit 1990. Ka gjithçka, impakton gjyqësorin, median, gjithçka. Ky është një kryeministër që impakton të gjitha pushtetet, sepse ka një pushtet më të madh. Ky është kryeministri, që pas Enver Hoxhës, ka pushtetin më të madh, që nuk e ka pasur askush, ka maksimumin e mjeteve të pushtetit. Me maksimumin e mjeteve që ka, ka këtë bilanc qeverisës që ka. Për mua bilanci i qeverisë së tij kur ishte me Metën, ka qenë më i mirë se tani. Ky kryeministër ka bërë rregullat e lojës vetë siç i do vetë, pas vitit 1996 kur i bëri Berisha. Atëherë e dimë si shkuam, varet si do të shkojmë tani. Në këtë kuadër, kemi një President, i cili nga pikëpamja formale e akteve, përjashtuar dekretit për shtyrjen e zgjedhjeve që është i diskutueshëm, nuk ka akte që të jenë në dëm të interesave kombëtare. S’ka bërë asnjë shkelje.

Minxhozhi: Nuk bën dot shkelje, aty ku nuk ke kompetenca.
Rakipllari: Mund t’i shkelë kompetencat, se qeveria i shkel sa të duash. Por nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, që ta gjykojë aktet e qeverisë. Qeveria shkeli nja 7 herë Kushtetutën për Teatrin Kombëtar.
Minxhozi: Kushtetuta është shkelur 27 herë, është shkelur masivisht.
Rakipllari: Po pra, por nuk kemi Gjykatën Kushtetuese. Në aktet e Presidentit nuk ka asnjë shkelje. Ka retorikë jashtë asaj që quhet unitet i kombit? Po, ka, por nuk janë në dëm të interesit të kombit. Retorika e tij absolutisht që është e theksuar, nuk është normale, por a është normale sjellja e mazhorancës?
Minxhozi: Është normale që ti mos ta lësh postin e Presidentit në sovranitetin, protokollin dhe qetësinë e tij?
Rakipllari: Jo. Sepse po të mos ishte ky president, po të ishte Erjon Braçe psh., Gjykata Kushtetuese do të ishte e gjitha e kuqe sot. Ishte ky President që nuk e la. Pranoje këtë, që Komisioni i Venecias e quajti shkelje nga mazhoranca dhe tentativë për kapje. Për retorikën po, jam dakord
Minxhozi: Retorika nuk është njeri i zakonshëm, është kreu i shtetit. E ka çuar presidencën në ekstrem komplet, këtë unë e quaj interes publik. Ai është Kreu i Shtetit, kur flet ai, gjithë qytetarët dëgjojnë. Nuk është një njeri normal që po flet kot.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb