Federata Europiane e Gjimnastikës ka vendosur të heqë të gjitha kufizimet për pjesëmarrjen e Rusisë dhe Bjellorusisë në garat ndërkombëtare. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe u miratua pas një votimi elektronik 48- orësh të zhvilluar nga drejtuesit e federatës. Ky ndryshim e harmonizon Federatën Europiane me Federatën Botërore të Gjimnastikës, e cila më 18 maj votoi për heqjen e masave kufizuese ndaj sportistëve rusë dhe bjellorusë.

Sipas rregullave të reja, atletët do të mund të garojnë me flamurin, himnin dhe simbolet kombëtare në të gjitha disiplinat dhe kategoritë e moshave. Vendimi vjen pas rekomandimeve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të publikuara në fund të vitit 2025, ku sugjerohej rikthimi i sportistëve rusë dhe bjellorusë në garat ndërkombëtare edhe në sportet ekipore.

Ata nuk kishin garuar nën flamurin kombëtar që nga nisja e luftës në Ukrainë në shkurt 2022. Ndikimi i parë praktik do të shihet në Kampionatin Evropian të Gjimnastikës Ritmike, që do të mbahet nga 27 deri më 31 maj në Varna të Bullgarisë. Sportistët rusë tashmë janë autorizuar të marrin pjesë zyrtarisht në këtë aktivitet. Ministri rus i Sportit, Mikhail Degtyarev, e cilësoi vendimin si një rikthim të sportit ndërkombëtar drejt meritës sportive dhe një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve sportive në Europë

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb