Epoka “Demi” nis gjithmonë me një hap të ngadaltë për Partizanin, por statistikat tregojnë se reagimi vjen menjëherë në javën e dytë.
Përballë Laçit, të kuqtë kërkojnë të thyejnë traditën e javës së parë dhe të marrin fitoren në 90 minutëshin e dytë të sezonit. Partizani u rikthye për herë të fundit në Kategorinë Superiore në verën e vitit 2013 dhe, që nga sezoni 2013-2014, të kuqtë e kryeqytetit drejtohen dhe financohen nga presidenti Gaz Demi. Në këto 14 edicione të epokës “Demi”, statistikat tregojnë një karakteristikë të veçantë të Partizanit, starti i kampionatit nuk ka qenë pika e fortë e të kuqve. Madje, në njëfarë mënyre, java e parë është kthyer në një “sprovë” për skuadrën, e cila shpesh e ka nisur rrugëtimin me rezultate larg pritshmërive.
14 startet e fundit, më shumë pengesa se festë
Kjo traditë u konfirmua edhe në premierën e sezonit 2026-2027. Partizani i drejtuar nga trajneri Florin Bratu u ndal në një barazim pa gola, 0-0, ndaj Teutës. Në 14 startet e epokës “Demi”, Partizani ka regjistruar 4 fitore, 4 barazime dhe 6 humbje. Në këtë bilanc ka një veçanti edicioni 2023-2024. Sipas kalendarit, Partizani duhej ta niste kampionatin ndaj Teutës, por për shkak të angazhimit në fazën “play-off” të “UEFA Conference League”, klubi mori leje për ta shtyrë ndeshjen dhe e nisi kampionatin nga java e dytë. Përballja me Teutën u shty disa herë dhe në fund u zhvillua më 7 dhjetor, që u mbyll 1-1. Për efekt të statistikave, kjo ndeshje është llogaritur si starti i kampionatit, edhe pse në kalendarin zyrtar Partizani e nisi sezonin nga java e dytë. Në 14 startet e analizuara, Partizani ka fituar vetëm në katër raste. Dhe kjo do të thotë se në plot 10 sezone, të kuqtë nuk kanë mundur ta nisin kampionatin me fitore. Një tregues që bie edhe më shumë në sy është fakti se në këtë periudhë Partizani ka pësuar 6 humbje në premierë, më shumë sesa fitoret që ka marrë.
Ekipi ndryshon fytyrë në javën e dytë
Nëse java e parë është një pengesë për Partizanin, historia ndryshon ndjeshëm sapo vjen java e dytë. Statistikat e 13 edicioneve të fundit tregojnë një bilanc dukshëm më pozitiv: 7 fitore, 4 barazime dhe vetëm 2 humbje. Pra, “Demat e Kuq” duket se kanë nevojë për 90 minutat e para për të marrë ritmin dhe për të treguar fytyrën e tyre të vërtetë. Pas një starti shpesh të vështirë, java e dytë ka sjellë në shumicën e rasteve rezultat pozitiv. Dhe tani vjen radha e një kundërshtari që Partizani e njeh mirë.
Laçi rikthehet në skenë, për herë të katërt
Laçi është përballur tre herë me Partizanin në javën e dytë në të kaluarën dhe ky duel do të përsëritet edhe këtë sezon. Përballja e radhës do të luhet të shtunën, në orën 18:30, në stadiumin “Arena Egnatia”, ku të kuqtë do të kërkojnë fitoren e parë të sezonit pas barazimit me Teutën. Bilanci i tri përballjeve të fundit në javën e dytë është në favor të Partizanit: dy fitore për “Demat e Kuq” dhe një për Laçin. Madje, të tria ndeshjet kanë përfunduar me të njëjtin rezultat, 1-0. Tashmë mbetet për t’u parë nëse historia do të përsëritet apo nëse Laçi do të arrijë të thyejë këtë seri. Partizani kërkon të “ndezë motorët” pikërisht në javën e dytë.
Startet e Partizanit në epokën “Demi”, 2013-2026
JAVA E PARË
2013-2014: Kastrioti – Partizani 0-2
2014-2015: Laçi – Partizani 1-1
2015-2016: Partizani – Laçi 1-1
2016-2017: Luftëtari – Partizani 0-1
2017-2018: Partizani – Laçi 0-2
2018-2019: Skënderbeu – Partizani 1-0
2019-2020: Kukësi – Partizani 1-0
2020-2021: Kastrioti – Partizani 2-1
2021-2022: Teuta – Partizani 1-0
2022-2023: Partizani – Egnatia 2-1
2023-2024: Partizani – Teuta 1-1
2024-2025: Partizani – Vllaznia 0-1
2025-2026: Partizani – Vora 1-0
2026-2027: Partizani – Teuta 0-0
Bilanci: 4 fitore, 4 barazime, 6 humbje
JAVA E DYTË
2013-2014: Laçi – Partizani 1-0
2014-2015: Apolonia – Partizani 1-0
2015-2016: Partizani – Flamurtari 2-1
2016-2017: Partizani – Vllaznia 0-0
2017-2018: Partizani – Kukësi 0-0
2018-2019: Kamza – Partizani 0-1
2019-2020: Luftëtari – Partizani 0-1
2020-2021: Kukësi – Partizani 0-2
2021-2022: Skënderbeu – Partizani 1-1
2022-2023: Partizani – Laçi 1-0
2023-2024: Partizani – Laçi 1-0
2024-2025: Partizani – Skënderbeu 2-1
2025-2026: Partizani – Teuta 0-0
2026-2027: Partizani – Laçi ?
Bilanci: 7 fitore, 4 barazime, 2 humbje
PARTIZANI-LAÇI,
STATISTIKAT
NDESHJE NË TOTAL: 66
FITORE PARTIZANI: 31
BARAZIME: 19
FITORE LAÇI: 16
GOLAVARAZHI: 89-59
FITORJA E FUNDIT E PARTIZANIT:
30 mars 2025, 1-0
BARAZIMI I FUNDIT:
1 shkurt 202, 0-0
FITORJA E FUNDIT E LAÇIT:
20 janar 2024, 1-2
