Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u zhvillua sot një seancë dëgjimore me artistë dhe pedagogë të Universitetit të Arteve, në lidhje me pengesat që hasen për avancimin në karrierën artistike dhe akademike. Në fjalën e saj, kryetarja e komisionit, Ina Zhupa, shprehu mbështetjen dhe angazhimin për zgjidhjen e këtij ngërçi dhe kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të Ministrisë së Arsimit.

“Është detyrë e këtij komisioni të kujdeset për kulturën kombëtare dhe ju kontribuoni çdo ditë në kulturën dhe identitetin kombëtar. Nëse nesër hiqni dorë nga mësimdhënia për shkak se nuk ju paguajnë dhe nuk ju njohin kontributet për karrierë, ata që humbin janë studentët tanë dhe arti shqiptar. Ndaj kjo është një çështje që shkon përtej jush, pasi prek gjithë kulturën shqiptare.

Nuk mund t’u thuhet pedagogëve artistë se nuk kanë vepra shkencore, ndërkohë që ata kanë vepra artistike që janë pasuri kombëtare dhe kontribuojnë në kulturën e vendit. Për aq kohë sa me VKM është njohur statusi i veçantë i Universitetit të Arteve, ky status duhet të njihet realisht dhe jo vetëm në letër. Aktiviteti i tyre është publik dhe i mirënjohur.

Universiteti dhe ministria nuk mund të thonë se titujt tuaj vlejnë kur u duhen fakulteteve për akreditim, por nuk vlejnë kur ju duhen juve për efekte financiare dhe avancim në karrierë. Artistët meritojnë dinjitet dhe njohje të menjëhershme e të plotë të të gjitha efekteve për titujt e tyre akademikë.”, tha Zhupa.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb