TIRANË

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka reaguar pas akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha në takimin me mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë si dhe paralajmërimeve të tij për një valë të dytë të pandemisë.

Sa i përket rritjes së pagave, 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët të premtuar nga kreu i PD, Manastirliu tha në “Real Story” në News24 se Kryeministri Edi Rama e ka bërë premtimin konkret në 40% rritje të pagës, që sipas sa shkon më shumë se ajo çfarë thotë Basha.

Nga ana tjetër, sa i përket akuzave për keqmenaxhim të pandemisë dhe mungesë të kapaciteteve në shëndetësi, ministrja Manastirliu tha se qeveria shqiptare është e angazhuar duke mbështetur sistemin shëndetësor dhe nuk ka për të pasur kolaps.

“Kryeministri e ka deklaruar, nuk e ka premtuar. Kryeministri e ka bërë premtimin konkret në 40% rritje të pagës. Shkon më shumë se sa ka premtuar zoti Basha.
Ne në 7 vite të qeverisjes kemi rritur me 26% pagat për mjekët, me 27% pagat për infermierët. Do të rrisim pagat duke filluar nga viti tjetër, në buxhetin e 2021, 40% të pagave. Kjo është pjesë e programit të PS dhe do ta deklarojë kryeministri Edi Rama.
Këta që bëjnë premtime dhe që flasin për katastrofa, këta që uruan të ketë katastrofa, kanë 6 muaj që kanë pritur të ndodhë katastrofa. Tani pasi nuk e pa këtë kolapsin uron për kolapsin e vjeshtë-dimrit. Jo që nuk do shkojmë në kolaps sepse qeveria shqiptare është e angazhuar duke mbështetur sistemin shëndetësor për të rritur kapacitetet, mjekët e infermierët etj…Kjo është e vërteta me shifra dhe fakte, jo me demagogji në këshillat partiakë të selive.

Nuk e kemi shitur kurrë ne anëtarin e këshillit partiak si ekspert të pavarur. Çfarë bënë ata në 6 muaj për t’i ardhur në ndihmë kolegëve të tyre. Erdhën një ditë tek dera e Infektivit? E prishën një ditë terezinë gjatë verës? Çdo gjë po e bëjnë në ‘Facebook’. A kanë informacion për realitetin, apo kanë zbritur nga hëna dhe kujtojnë se njerëzit kanë harruar. S’mund ta harrosh ti dhe as unë, kur shkonim tek pediatria blinim vigonin dhe serumin bashkë. Kemi punuar dhe po punojmë për të bërë më të mirën. Janë kthyer nga pushimet dhe thonë këtu do të ndodhë katastrofa. Si mund të ndihet një pacient apo një familjar në spital kur flet për katastrofa? Si mund t’ia hedhësh poshtë mundin mjekëve.
Nuk mund të bësh politikë me pandeminë dhe vdekjen e njerëzve
Ne kemi punuar dhe po punojmë brenda mundësive. Janë kthyer nga pushimet dhe thonë se këtu është katastrofa. Nuk e di si mund ta thuash këtë. Kush ka folur me ata mjekë dhe infermierë, kanë fjalët më të mira që thonë. Nuk mund të bësh politikë me pandeminë dhe vdekjen e njerëzve. Si mund ta thuash që do të ndodhë se do të ndodhë katastrofa. Pse nuk ndodhi për 6 muaj? Nuk ka ndodhur, sepse ne punojmë. Nuk ka qeveri në botë që e thotë këtë. Nëse këta vijnë në pushtet, me këta mjekë e infermierë do punojnë. Hedhin baltë mbi sistemin shëndetësor. Nuk kam parë askund në botë që të thotë opozita se do të ndodhë katastrofa.
E ftoj opozitën. Unë iu kam shtrirë dorën e bashkëpunimit. Shëndetësia është punë 24 orë nëse mundesh. Nëse nuk mundesh, nuk është shëndetësia për ty”, deklaroi Manastirliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb